Heshtje zgjedhore në Maqedoninë e Veriut/Video
BKT
Lajme

Heshtje zgjedhore në Maqedoninë e Veriut/Video

Besnik Iseni/RTK-Shkup

Në mesnatë hyn në fuqi heshtja zgjedhore për zgjedhjet parlamentare e presidenciale në Maqedoninë e Veriut, para se të mërkurën, 1.8 milion qytetarë më të drejtë vote t’u drejtohen kutive të votimit.

Partitë politike në Maqedoninë e Veriut mbajtën sot takimet e fundit me elektoratin, para se më mesnatë të hyjë në fuqi heshtja zgjedhore për zgjedhjet parlamentare dhe për balotazhin e zgjedhjeve presidenciale të 8 majit.

Të dy koalicionet e partive shqiptare, sot me konferenca për media, shprehën bindjen se do të dalin fituese.

"Të dashur qytetarë ashtu sikurse më 24 prill ka më shumë se një arsye se pse fronti evropian do të fitojë thellë edhe me 8 maj. Arsyeja më e madhe që e ilustron fitoren e frontit, është sepse ne po ndërtojmë me vizion, ambicie, punë të palodhur dhe me këmbëngulje”, deklaroi Arbër Ademi nga Fronti Evropian.

 “Janë afër 10 mijë të cilët kanë ardhur për ta vulosur ndryshimin që duhet të ndodhë në politikën shqiptare. Pra, po frynë era e ndryshimit. Kjo do të jetë edhe një motivim më i madh edhe për ne që jemi këtu, kur ata me mijëra kilometra kanë bërë për ta shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar për ndryshimin", tha Izet Mexhiti nga koalicioni VLEN.

Për zgjedhjet parlamentare garojnë gjithsej 17 koalicione dhe parti politike.

Tubimet e fundit me elektoratin i mbajnë edhe dy kandidatët për president shtetit.

Stevo Pendarovski kandidat i LSDM-së u ofroi qytetarëve progres. Ai tha se pushteti aktual e ka çuar vendin në NATO dhe i ka filluar bisedimet me BE-në.

Kurse kandidatja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska në tubimin e fundit u premtoi qytetarëve se nuk do t’i gënjejë dhe se nuk do t’i harrojë interesat shtetërore dhe kombëtare.


MË SHUME NGA Lajme