Osmani: Bashkëpunimi ndërmjet MCC-së e Kosovës simbolizon progresin
BKT
Lajme

Osmani: Bashkëpunimi ndërmjet MCC-së e Kosovës simbolizon progresin

K. Kasumi / RTKlive

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të Samitit ShBA-Afrikë, gjatë vizitës zyrtare në Teksas të ShBA-së, në eventin qëndror me rastin e 20-vjetorit të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), ka prezantuar rrugëtimin e deritashëm të Kosovës, duke potencuar sukseset në të cilat ShBA-ja ka luajtur rol vendimtar.

Me pjesëmarrjen e presidentit George W. Bush dhe në prani të liderëve afrikanë, u diskutua për sukseset 20-vjeçare të punës transformuese të MCC-së.

Siç ka njoftuar Presidenca, në sesionin special të moderuar nga senatori republikan Mike Johanns, presidentja Osmani, ndër të tjera, foli për partneritetin e jashtëzakonshëm me ShBA-në, me ç’rast potencoi në veçanti bashkëpunimin e suksesshëm me MCC-në.

“Presidentja Osmani bëri një falënderim të posaçëm për partneritetin e shkëlqyeshëm me MCC-në, si dhe shprehu mirënjohje të thellë për lidershipin e Presidentit Bush, trashëgimia e të cilit, sipas saj, po reflektohet më së miri sot nëpërmjet punës së MCC-së", thuhet në komunikatë.

“SHBA-të kanë luajtur rol përcaktues në procesin e pavarësimit të Kosovës. Bashkëpunimi ndërmjet MCC-së dhe Kosovës simbolizon progresin, ambicien dhe vizionin e përbashkët për demokraci dhe të ardhme të qëndrueshme”, ka theksuar presidentja Osmani.

Sipas presidentes Osmani, ky partneritet është dëshmi e marrëdhënieve strategjike dhe historike ndërmjet Kosovës dhe ShBA-së.

Presidentja Osmani ka potencuar se Kosova ka bërë hapa përmbajtësorë në procesin e reformave të shumta, me theks të veçantë në drejtësi dhe sundim të ligjit.

Në adresimin e saj, presidentja Osmani ka folur për hapat e bërë nga Kosova në nxitjen e rritjes ekonomike dhe promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm.

Sipas presidentes Osmani, ka rezultate të jashtëzakonshme nga partneriteti me MCC-në, i cili ka ndihmuar që zhvillimi jo vetëm i këtij sektori, të shkojë në drejtimin e duhur.

“Projektet ambicioze reflektojnë një vizion afatgjatë për Kosovën, duke siguruar që partneriteti ynë me MCC-në të çojë në ndryshime pozitive dhe të qëndrueshme”, ka theksuar presidentja Osmani.

Presidentja Osmani, ndër të tjera, ka theksuar se me pjesëmarrjen në këtë Samit, si dhe me ndihmën e MCC-së në vazhdimësi, janë krijuar mundësi  për t`i prezantuar të arriturat e Kosovës ndër vite, por edhe për të filluar partneritetin me shtetet afrikane.


MË SHUME NGA Lajme