Gruda: Në sytë e ndërkombëtarëve, institucionet tona, të pa besueshme
E. Hoti / RTKlive
Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës ( PDK), Përparim Gruda, i ftuar në “Info Plus” të RTK-së, ka thënë se me gjasë Kosova nuk do të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës për shkak se është kushtëzuar më çështjen e Asociacionit.
“Shpresoj që kjo të ndryshojë në ditët në vijim sepse është e mundur të futet në agjendë, por gjasat janë të pakta dhe është një realitet i hidhur për Kosovën”, ka thënë Gruda.
Sipas tij, ky është një moment ku është “shpërfaqur ashtu siç është politika e jashtme e Qeverisë Kurti” .
“Ky është rezultat i dialogut trevjeçar të zotit Kurti i cili ka kulmuar me një fatkeqësi për Kosovën. Fatkeqësia është që procesi i integrimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, si Këshilli i Evropës, por edhe nesër në BE është i lidhur me çështjen e dialogut”, ka theksuar ai në RTK
Gruda ka thënë se Kosova ka qenë në një pozicion kur themelimi i Asociacionit ka qenë kundërvlera e njohjes për Serbinë.
“Prandaj kemi thënë ne e japim Asociacionin në këmbim të njohjes. Sot njohja është zhdukur nga fjalori diplomatik, është zhdukur nga ambicia e atyre që ndërmjetësojnë”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, në sytë e ndërkombëtarëve, institucionet e Kosovës janë të pa besueshme.
“Në qoftë se tre liderët e Kosovës i zotohen ndërkombëtarisht Këshillit të Evropës me një letër dhe ata prapë nuk i besojnë, kjo tregon një mungesë totale të besimit në letrat dhe deklarimet publike të liderëve tanë. Publiku mbahet me propagandë. I thuhet nuk po e dorëzojmë Asociacionin, ndërkohë që ka një letër zotimi në Këshill të Evropës për themelimin e Asociacionit”, ka deklaruar ai.
Gruda ka thënë se obligimi për të miratuar draft-statutin në qeveri dhe për ta përcjellë në Gjykatë Kushtetuese është vetëm i qeverisë dhe askujt tjetër.
”Qeveria ka një detyrim kushtetues dhe ndërkombëtar për ta dërguar draftin në Gjykatë Kushtuese. Dërgimi i draftit është një hap procedural për të përmbushur detyrimet që rrjedhin nga marrëveshja e Ohrit”, ka deklaruar zyrtari i PDK-së.























