Përfundoi periudha transitore e BQK-së, euro valuta e vetme në Kosovë/Video
Arlinda Sejda/RTK
Duke nisur nga dita e sotme (e diel) euroja është valuta e vetme për transaksione në Kosovë. Periudha transitore e Bankës Qendrore të Kosovës ka përfunduar. Nga e hëna, sipas Rregullores, do të ketë masa ndëshkuese për ata që përdorin dinarin. Bankat komerciale që operojnë në Kosovë, ndërkaq janë udhëzuar që të hapin degë të reja në veri.
Edhe këtë të diel si në çdo ditë të zakonshme, qytetarët e komunitetit serb furnizohen me produkte ushqimore. Por, pagesën nga sot, nuk mund ta bëjnë me dinarë të Serbisë.
“Nga sot valuta e vetme për transaksione për para të gatshme në Kosovë është euro, ndërsa ndaj të gjithë atyre që përdorin para të gatshme me valuta të tjera për transaksione do të ndërmerren masa”.
Dikush është i vetëdijshëm për vendimin mbi përdorimin e valutave të tjera përveç euros.
"Pranojmë dinarë, por i konvertojmë në euro, këtë e bëjmë në këmbimore...kështu jetojmë..”, deklaroi një qytetarë serb.
Për dikë ky vendim vazhdon të mbetet i papranueshëm
“Kush ka dinar paguan, kush s'ka paguan me euro... edhe këtë e tejkalojmë e tejkalojmë”, deklaroi një qytetarë tjetër.
Përfaqësues të bizneseve në Gracanicë nuk dëshirojnë të flasin për këtë çështje.
Por, në një prej tyre, bazuar në pamjet e siguruara nga RTK, shihet se ata nuk pranojnë valuta të tjera përveç euros. Tanimë edhe tërheqja e parave nga bankomatët e bankave komerciale bëhet vetëm me euro.
Për rregulloren e re të BQK-së mbi përdorimin e valutave të tjera përveç euros, u zhvilluan gjashtë takime në Bruksel mes Kosovës e Serbisë, por ende pa ndonjë marrëveshje.
Më 1 shkurt ka hyrë në fuqi Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës, që parasheh euron si valutën e vetme për kryerjen e pagesave. Por zbatimi i këtij vendimi është shtyrë deri më 11 maj.























