Finalja e festivalit “Netët e Klipit Shqiptar 2024”, ndahen çmimet
RTK/RTSH
Finalja e madhe e festivalit “Netët e Klipit Shqiptar” po mbahet sonte në Ulqin dhe është në transmetim të drejtpërdrejt në RTK.
Ky është festivali i vetëm i imazhit shqiptar që daton që nga viti 2002 dhe organizohet çdo vit, si një festival i mirëfilltë i videoklipit ku konkurrojnë artistë të shumtë e studio prodhimi të kësaj fushe, nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Mali i Zi si dhe diaspora shqiptare, duke e bërë garën çdo vit e më interesante.
Kënga “Fotografia” kënduar nga Semi Jaupaj & Emra Brah, ka rrëmbyer trofeun e spektaklit ”Netët e klipit shqiptar”, i transmetuar në RTK përmes RTSH-së, është shoqëruar me shumë emocione dhe surpriza, por edhe me mesazhe nga artistët pjesëmarrës.
“Fotografia” një produksion i FullMoon Production, ka fituar kupat në të gjithë komponentët duke filluar që nga muzika, vokali, teksti, regjia, kostumografia, montazhi dhe orkestracioni.
Semi Jaupaj gjatë marrjes së çmimit, falënderoi publikun dhe organizatorët e eventit për çmimin.
Spektakli pati shumë ngjyra vokale, e zhanresh muzikore, të cilët jo vetëm rrezatuan hitet më të mira të muzikës shqiptare të të gjitha trevave shqiptare, nga këngëtarë të njohur tashmë në Ballkan, në skenat evropiane, por edhe promovoi edhe zëra të rinj, të cilët merrnin pjesë për herë të parë në këtë ngjarje të muzikës shqiptare.
Emra të njohur të botës së muzikës si Endri dhe Stefi, Era Rusi, Eneda Tarifa, Stine, Gresa Gjoreca, Kastro Zizo, Ronela Hajati etj., në moderimin e elegant të Ermal Peçit, dhuruan emocione dhe performanca të jashtëzakonshme skenike dhe vokale.
Spektakli u zhvillua në Kalanë e Ulqinit, një skenografi natyrale historike, që nën dritat shumëngjyrëshe, e bëri mbrëmjen një natë të paharrueshme për Ulqinin.
Në këtë mbrëmje u ndanë edhe mjaft çmime, të cilat vlerësuan jo vetëm anën muzikore, por edhe performancat e artistëve në disa elementë duke filluar që nga kostumografia, regjia, orkestracioni, çmimi publikut etj.
Çmimin si regjia më e mirë e ka fituar kënga “Lotët” e interpretuar nga Xhensila Myrtezaj, me regji të The Claudia.
Regjisorja, e cila ka marrë edhe kupën e çmimit, bëri të ditur se është hera e parë që merr pjesë në spektaklin “Netët e klipit shqiptar”, por kjo kupë, sipas saj, shkon për Xhensilën, të cilën e përkufizoi jo vetëm si një artiste të kompletuar, por edhe si nënë shumë të përkushtuar.
“Kjo kupë shkon vetëm Xhensilën. Mund ta them me plot gojën se është një ndër artistet më të mira shqiptare. Ajo nuk mund të vinte për shkak të angazhimeve të shumta që ka. E vlerësoj shumë për vullnetin dhe interpretimin e saj në klip. Përveçse një artiste e kompletuar, Xhensila është edhe një nënë e përkushtuar. Duhet marrë shembull nga të gjithë.”, tha regjisorja e këngës “Lotët” e interpretuar nga Xhensila Myrtezaj, këngë që fitoi edhe çmimin si regjia më e mirë.
Çmimet e tjera:
Dueti më i mirë në videoklip - David Reshaj & Blero me "Ta dija"
Kamera më e mirë në klip - Rei Bezhani dhe Era Rusi
Debutuesi më i mirë - Petro Xhori me "Më prit ti"
Çmimi Deliart – Ervin Gonxhi
Fabula më e mirë në klip - Vezire/Alex Seitaj
Çmimi i karrierës, prek Ingrid Gjoni
Klipi më i mirë urban - Guximtar Rushani
Çmimi i jurisë – Teuta Halimi
Çmimi i medias - Gresa Gjocera
Klipi me i mire i muzikës qytetare – Devis Xherahu dhe Nasi Kondili
New Artist - Coco Antonel
Klipi më i mire hip hop – Bleta përtace























