Allen pas takimit me Kurtin: Të zbatohen të gjitha marrëveshjet me Serbinë
G.Kelmendi/RTKlive
Nënsekretarja amerikane për Diplomacinë Publike, Elizabeth Allen, ka takuar sot kryeministrin e Kosovës Albin Kurti nga i cili ka kërkuar zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialogun me Serbinë.
Në një postim në platformën “X”, Allen ka theksuar se Kosova i përket BE-së e NATO-s.
“E vlerësoj diskutimin e thellë me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Kosova bën pjesë në BE dhe në NATO. Ne kërkojmë zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve që kanë bërë Kosova dhe Serbia në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, ka shkruar nënsekretarja amerikane e Shtetit.
Ndërkohë nënsekretarja Allen ka shkruar edhe për takimin me presidenten Osmani ku ka theksuar mbështetjen e SHBA-së për rrugën evropiane dhe euroatlantike të Kosovës.
"Jam e kënaqur që takohem me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani për një diskutim të thelluar për mbështetjen tonë për integrimin evropian dhe euroatlantik të Kosovës, dhe mbështetjen tonë të qëndrueshme dhe miqësinë me popullin kosovar", ka shkruar ajo në "X".
























