Bexheti: Procesi gjyqësor në Hagë, i stërzgjatur
BKT
Lajme

Bexheti: Procesi gjyqësor në Hagë, i stërzgjatur

Njohësi i zhvillimeve politike, Nuri Bexheti  ka thënë se procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Dhomat e Specializuara në Hagë është i stërzgjatur dhe pa limit. Ai tha se mbajtja hapur e këtij procesi kaq gjatë e rrënon imazhin e Kosovës.

Në një intervistë në “Info Plus” në RTK,  Bexheti tha se Kosova ka bërë një instrument "sui generis" që asnjë vend në botë nuk e ka bërë.

“Për të forcuar sovranitetin shtetëror të saj dhe për të forcuar pozicionin ndërkombëtar Kosova u detyrua për një instrument që nuk e kishte bërë askush. Kuvendi i Kosovës me shumice votash e bëri atë instrument që ishte kërkesë e pashmangshme. Këta burra që gjykohen kanë qenë në ballë të institucioneve dhe e kanë bërë atë instrument që sot përballen me të”, tha ai.

Sipas tij problemet fundamentale të këtij procesi janë mos llogaridhënia.

“Ky është një instrument që nuk i jep llogari askujt. Kosova ka deleguar një pjesë të sovranitetit në Hagë. Kjo gjykatë duhet të kishte qartësi se kur e mbyllë këtë proces. Ish krerët e UÇK-së janë mbajtur të arrestuar pa aktakuzë, procesi është vonuar, numri i dëshmitarëve është i madh. Nuk duhet që procesi të jetë i pakufizuar”, deklaroi ai .

Bexheti tha se Serbia ka deponuar qindra mijëra materiale dhe se sipas tij nuk ka paanshmëri për këtë proces.

“Sa janë valide këto dokumente të Serbisë në një proces të tillë. Ky është konflikt interesi. Nuk ka paanshmëri. Njëra palë është e dëmtuar", shtoi ai.

Tutje ai tha se Qeveria e Kosovës duhet të mbështesë mbrojtjen dhe të kërkojë nga partnerët ndërkombëtarë që të caktohet data se kur mbyllet ky proces.

“Kosova duhet të mbështesë me fonde të pakufizuara për aq sa ka nevojë mbrojtja. Qeveria e Kosovës duhet të kërkojë nga partnerët që e sponzorojnë këtë gjykatë që të caktohet data se kur mbyllet ky proces. Kjo duhet kërkuar në kanale diplomatike”, ka thënë ai.

Sipas tij, mbajtja hapur e këtij procesi kaq gjatë e rrënon imazhin e Kosovës. “Krijohet perceptimi botëror se krime ka bërë Kosova e jo Serbia”, nënvizoi ai.


MË SHUME NGA Lajme