RTK me memorandum bashkëpunimi me Institutin `Goethe’ dhe ‘DW Akademie’
BKT
Lajme

RTK me memorandum bashkëpunimi me Institutin `Goethe’ dhe ‘DW Akademie’

E. Hoti / RTKlive

Radiotelevizioni i Kosovës (RTK) ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Institutin Gjerman të Kulturës (Goethe) dhe akademinë e mediumit gjerman Deustche Welle (DW Akademie). Memorandumi i bashkëpunimit u nënshkrua nga drejtori gjeneral i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, në konferencën e partnerëve që po zhvillon punimet në Budva të Malit të Zi, ku po marrin pjesë edhe përfaqësues të tjerë nga transmetuesit publik të Ballkanit Perëndimor. 

Ky memorandum përcakton një kornizë për bashkëpunim ndërmjet këtyre institucioneve për të lehtësuar dhe zbatuar programin e financuar nga BE-ja “Inovations Media Minds”, program ky që  mbështet gazetarinë në mediumet publike në Ballkanin Perendimor. Projekti do të zgjasë deri në gusht të vitit 2026.

Përmes këtij memorandumi, Instituti gjerman "Goethe", në bashkëpunim të ngushtë me partnerin zbatues të projektit “DW Akademie”, do të ofrojë ekspertizë, trajnime dhe burime të tjera për të ndihmuar Radiotelevizionin e Kosovës në rritjen e prodhimit dhe përmbajtjes, përmirësimin e kapaciteteve profesionale të gazetarëve të saj, rritjen e audiencës dhe zgjerimin e një rrjeti të bashkëpunimit me transmetuesit publik në Ballkanin Perëndimor.

Në këtë projekt RTK do të angazhohet për pjesëmarrje aktive në aktivitetet e këtij programi dhe zbatimin e njohurive dhe aftësive të përfituara përmes programit “Inovations Media Minds”.

Nga përfitimet që ofron projekti “Inovations Media Minds”, RTK kualifikohet në skemat e granteve të ndryshme të cilat synojnë të mbështesin menaxhmentin e saj, gazetarët dhe stafin teknik në prodhimin e programeve dhe raportime të cilësisë së lartë që janë relevante dhe inovative për audiencën e saj.

Mbështetja financiare si  pjesë e ofertës nga skema e granteve do të detajohet me  marrëveshje të veçanta ndërmjet Institutit "Goethe" dhe Radiotelevizionit të Kosovës.

 


MË SHUME NGA Lajme