Serbia ka arrestuar një kosovar në Merdarë, MPJD ka njoftuar QUINT-in
Sh.Ç/RTKlive
(E plotësuar, ora 23:47) Ministria e Jashtme dhe Diasporës ka reaguar pas artestimit të një qytetari në Serbi.
"Sot pasdite Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovë në Serbi është njoftuar për arrestimin e qytetarit të Republikës së Kosovës, Tefik Mustafa, nga autoritetet e Serbisë në Merdarë, me akuza për gjoja krime të pretenduara të luftës ndaj popullsisë jo-shqiptare, gjatë luftës në Kosovë më 1999", thekson ministria.
Lidhur me këtë rast, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovë në Serbi menjëherë i ka njoftuar misionet diplomatike të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe dhe të shteteve tjera në Beograd si dhe i ka dërguar kërkesë zyrtare Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë për konfirmim të arrestimit dhe për ofrimin e detajeve tjera relevante, në të cilën kërkesë është përfshirë edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi.
Ministria njofton se do tё paraqes kёrkesё zyrtare autoriteteve serbe pёr tё lejuar Ambasadorin Jashari ta vizitojё Tefik Mustafën nё mёnyrё qё shteti dhe Qeveria e Republikёs sё Kosovёs tё njoftohet mё konkretisht pёr trajtimin qё po i bёhet Mustafës nga organet serbe.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dënon ashpër ndalimin, arrestimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht i bën thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare që të ndërmarrë hapa konkret për lirimin e menjëhershëm të qytetarit Tefik Mustafa dhe njëkohësisht të kërkojë përgjegjësi nga shteti serb për këto veprime arbitrare dhe destruktive dhe që bien ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
MPJD për këtë arrestim ka njoftuar dhe shtetet e Kuint-it në Kosovë dhe do t’iu mbajë të informuar rreth këtij rasti dhe për çdo informatë të re do t’ju njoftojmë me kohë.
Serbia ka arrestuar një kosovar në Merdarë, reagon Haxholli
Në Serbi është arrestuar një kosovar nën dyshimin për “krime lufte”. Për këtë ka reaguart sekretari i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Fatmir Haxholli. “Me gjasë po iu duhet ndonjë temë propagandistike për zgjedhjet e nesërme në Serbi. Poshtërsi!” ka shkruar ai në Facebook.
Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se një person i dyshuar për krime lufte ndaj popullatës civile në Kosovë është arrestuar të shtunën në pikëkalimin kufitar në Merdarë.
Ministria e Punëve të Brendshme i Serbisë ka bërë të ditur se është arrestuar kosovari Tefik Mustafa, “që si pjesëtar i UÇK-së, në deklaratat e dëshmitarëve është përmendur si pjesëmarrës në rrëmbimin e policëve Goran Marinkoviq, Zhivojin Paviq dhe Predrag Millosheviq, më 19 qershor 1999 në rrugën Prishtinë - Gjilan, të cilëve u humbën të gjitha gjurmët”.
Mustafa thuhet se do të dorëzohet te Zyra e Prokurorit për Krime Lufte.
Dyshime për rastin e përmendur nga Serbia ka hedhur sekretari i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Fatmir Haxholli.
Ai ka thënë se “nëse marrim për bazë rastin ‘Panda’ dhe skemat terroriste me të cilat kanë operuar shërbimet e sigurisë serbe, është shumë më e mundshme që Goran Marinkoviq, Zhivojin Paviq dhe Predrag Millosheviqi të jenë humbur apo zë jenë gjallë në Serbi, se sa t’u ketë ndodhur diçka në territorin e Republikës së Kosovës”.
“Me gjasë po iu duhet ndonjë temë propagandistike për zgjedhjet e nesërme në Serbi. Poshtërsi!” ka shkruar ai në Facebook.
Në tre vjetët e fundit, në Serbi janë arrestuar disa shtetas të Kosovës me dyshimet e pretenduara se kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë 1998-99.























