Harmonizimi i fjalëve për enciklopedinë shqiptare, ende një punë e madhe
BKT
Kulturë

Harmonizimi i fjalëve për enciklopedinë shqiptare, ende një punë e madhe

rtsh

Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës kanë mbajtur sot takimin e radhës lidhur me harmonizimin e të gjitha fushave të redaksive vendore për krijimin e “Enciklopedisë së parë shqiptare”. Në këtë enciklopedi do të përmblidhet e gjithë kultura dhe trashëgimia e popullit shqiptar ndër shekuj.

Bashkëpunimi në mes të dy akademive shkencore, në Tiranë dhe Prishtinë, sot është fokusuar në harmonizimin e tërësisë së fjalëve shqip dhe pas këtij procesi do të vijohet me miratimin përfundimtar të tyre nga redaksia qendrore e dy akademive të shkencave në fund të dhjetorit të këtij viti.

Kryetari i Akademisë së Shkencave i Shqipërisë, Skënder Gjinushi, vlerësoi kontributin e dhënë nga të gjithë aktorët për krijimin e kësaj enciklopedie.

“Falënderojmë për kontribut redaksitë vendore dhe drejtuesit e tyre, kolegët tanë që kanë pranuar dhe kanë marrë përsipër ta japin kontributin në hartimin e të parës enciklopedi shqiptare”, tha Gjinushi.

Edhe kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, tha se procesi i harmonizimit të fjalëve për enciklopedinë shqiptare ka nisur dhe mbetet ende një punë e madhe për t’u bërë.  Ai vuri theksin se procesi ka disa probleme. Kraja tha se takimi i radhës së dy akademive do të zhvillohet në vjeshtë në Prishtinë.

“Kemi pasur takime të ndërsjella për të bërë një lloj rezymeje se çfarë kemi bërë gjatë kësaj periudhe dhe objektivave që i kemi vënë vetes dhe kemi konsoliduar një fillim të mbarë. Redaksitë e fushave kanë pasur takime të ndërsjella dhe kemi arritur të harmonizojmë disa nga zërat që duhen të përfshihen dhe mbetet edhe shumë punë që ta përmbyllim këtë fazë të projektit. Është hartimi i fjalëve është paraparë të ndodhë deri në fund të këtij viti. Duhet t’i përshpejtojmë hapat që t’i harmonizojmë fjalësit e 29 fushave të dy akademive të shkencave. T’i gjejmë zgjidhjet më të mira për përcaktimin përfundimtar të fjalësit dhe zërave. Ka nevojë për një studim të thelluar të çështjeve që duhen të zgjidhen për ta përfunduar këtë pjesë të punës me redaksinë qendrore që do ta shqyrtojë në dhjetor të 2024-s dhe t’i japë vulën përfundimtare. Derisa të mbërrijmë te redaksia qendrore ka goxha punë. Ky është takimi i parë i dy redaksive për fjalësin dhe një takim tjetër do ta mbajmë në Prishtinë gjatë vjeshtës”, tha Kraja.


MË SHUME NGA Kulturë