Rama: Ibrahim Rugova, ati themelues i Kosovës së lirë|Video
BKT
Lajme

Rama: Ibrahim Rugova, ati themelues i Kosovës së lirë|Video

SH.Çoçaj/RTKlive

(E plotësuar) Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në Konferencën Ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi” për 25-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, ka thënë se Ibrahim Rugova e ka shënjuar historinë e shqiptarëve me një gjurmë sa të rrallë aq edhe të domosdoshme.

Kryeministri Rama ka theksuar se Ibrahim Rugova, ati themelues i Kosovës së lirë, të pavarur dhe demokratike ishte një shqiptar si i dalë nga brinjët malore të historisë sonë.

“Një intelektual si i nxjerrë nga koleksioni i portreteve të periudhës romantike; një politikan si i rrahur me vajin dhe uthullën e odës patriarkale; një udhëheqës si i krijuar për të mos u futur dot në asnjë kornizë të gatshme; një figurë që edhe sot e gjithë ditën është e vështirë ta përmbledhësh si një të tërën, pa i hyrë në hak harmonisë mes pjesëve”, ka deklaruar Rama.

Ai ka vlerësuar se “Ibrahim Rugova ishte edhe mbetet më atipiku i politikanëve shqiptarë, i papërsëritshëm, i paimitueshëm, i pashpjegueshëm dot deri në fund me mënyrën dhe për mënyrën se si arriti t’u imponojë njerëzve rrugën e ujit të rrjedhshëm që duket sikur rri në vend teksa formon shtratin e vetë”.

Rama citoi edhe shkrimtarin e njohur Ismail Kadare kur shkruan: “Ibrahim Rugova, kryetar pa pallat dhe pa komb, luftëtar idesh, luftëtar i paqes, një burrë këmbëngulës dhe i vetmuar që dërgoi popullin e vetë drejt një të ardhmeje që nuk do të ishte veçse e mirë, ku afër tij kaloi historia”.

“Kur në 24 maj të vitit 1992, në të ashtuquajturën zgjedhje ai i vetëshpall President i Kosovës për herë të parë, pati guximin e gjeniut për faktin se nuk rrezikoi jetën, por rrezikoi diçka edhe më të rëndësishme, atë që jeta krijon dhe lë pas, emrin dhe personalitetin”, ka theksuar Rama.

Rama ka theksuar se Ibrahim Rugova ishte President i shpresës në mes të shtypjes së çdo shprese.

“Kishte jetuar deri aty mes librash dhe joshjes së kritikës letrare në rrethana tejet të rënda për Kosovën, ku pasioni i studiuesit për dijen dhe fjalën e shkruar ju bë trualli ku u zhvillua përgjegjësia e intelektualit zëdhënës të popullit të vetë. Pikërisht në atë zhvillim e sipër, refuzimin estetik për të cituar titullin e njërës prej veprave të tij shkruar në vitin 1987, ai e ktheu në një refuzim politik, i cili herë merrte formën e predikimit në shkretëtirë, herë merrte trajtën e profecisë në një horizont imagjinar shprese, herë bëhej thirrje ndërgjegjeje ndaj botës për të drejtat e Kosovës, herë dëgjohej si thirrje urtësie në veshët e opinionit në Kosovë”, ka thënë Rama.

“‘Lufta jonë është paqësore, jo e dhunshme. Ajo është e dinjitetshme’, deklaronte Rugova me një kokëfortësi çarmatosëse të një lideri krejtësisht të pazakonshëm për Ballkanin e kthyer edhe njëherë në fuçi baruti në mes të Europës, në një kohë kur fare pak mes atyre shumë pak syve të kthyer nga Kosova ishin ata që arrinin ta lexonin dhimbjen e Kosovës.
Dhe teksa kjo lagje e Europës mbytej në renë e gjakut dhe lotëve duke u shpartalluar nga të katër anët nga dhuna, ulet në kolltukut e arsyes brenda një kinemaje urrejtjeje një president pa pallat dhe pa komb, që falë vetëm personalitetit të tij dhe asgjëje tjetër, pritej në Shtëpinë e Bardhë, pritej në Londër, në Romë, në audiencë nga Papa Gjon Pali në Vatikan, duke e zgjeruar si një përrua shtratin e vetë, vëmendjen ndërkombëtare për çështjen e Kosovës”, ka thënë Rama.

D’Alema: Jemi larg stabilitetit ballkanik ku synonte Ibrahim RugovaIsh-kryeministri i Italisë Massimo D’Alema, ka folur për kujtimet dhe miqësinë që kishte me presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. D’Alema në konferencën ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”, kujtoi disa momente shumë të rëndësishme të çlirimit të Kosovës.

Ish-kryeministri i Italisë Massimo D’Alema ka theksuar se sëmundja e hershme e ndaloi Rugovën që ta shpallte pavarësinë më 17 shkurt 2008.

“Kam kujtime të mira për përpjekjet që Rugova i bëri për statusin përfundimtar të Kosovës. Unë isha në qeveri, jo si kryeministër por si zëvendës, dhe ministër i Punëve të Jashtme. Dhe Italia ishte zgjedhur si vend jo i përhershëm i Kombeve të Bashkuara dhe Ban Ki Moon në atë kohë e kishte caktuar datën 10 dhjetor si afat kur duhet të mbaronin negociatat. Dhe në dhjetor ishte radha e Italisë që ta udhëhiqte presidencën e Këshillit të Sigurimit. Ai donte personalisht të merrte pjesë në seancë për të bërë thirrje përkrahjen për pavarësi. Por, kjo u pamundësua nga nacionalizmi i lartë i Serbisë që nuk i pranonte faktet, por nuk mund ta shtyente pafundësisht këtë gjë”, ka deklaruar ai.

Ish-kryeministri italian ka theksuar se sot jemi larg synimit dhe stabilitetit ballkanik ku synonte Ibrahim Rugova.

Massimo D’Alema, ka evokuar një kujtim interesant rreth Ibrahim Rugovës.

Ai ka thënë se shqetësimi kryesor i ish-presidentit Bill Clinton ishte se Rugova mund të fliste kundër bombardimeve të NATO-së.

“Shqetësimi i Klintonit ishte se pacifisti Ibrahim Rugova mund të fliste kundër bombardimeve të NATO-së. Më pas, nga një konferencë në Romë, Rugova falënderoi NATO-në që mbrojti popullin e tij, e kujtoj Clintonin që i thash, Bill duhet ta falënderosh Rugovën sepse unë nuk bëra asgjë për ta bindur atë”, ka theksuar ai.

Hovernier: Rugova ishte inspirim për mua

Ambasadori i ShBA-sëm, në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka theksuar se Rugova ishte inspirim për të.“Edhe në ditën time të fundit si Ambasador në Kosovë do të vendos lule tek shtatorja e presidentit Rugova, si shenjë respekti për të, për mënyrë se si ai i ka bërë gjëra”, ka thënë ai.

Diplomati amerikan kujtoi shumë kohë më parë se si e mori dhuratën e çmuar nga presidenti historik.

“Dhe sot kur ulem dhe i pres mysafirët e mi në ambasadë, e kam të vendosur mbi tavolinë gurin e çmuar (kristalin) e dhuruar nga presidenti Rugova”, ka theksuar ambasadori amerikan.

Paglia: Rugova e donte popullin dhe vendin e tij

Presidenti i Akademisë Papnore për Jetë, Vincenzo Paglia, ka thënë se është i nderuar dhe i lumtur për pjesëmarrjen në konferencën ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”.

Ai ka theksuar se presidenti Ibrahim Rugova, ishte vizionar për vendin e tij, Ballkanin dhe një Evropë me Ballkanin Perëndimor brenda saj.

“Presidenti Ibrahim Rugova ishte kolos fragjil i Kosovës. Ai e drejtoi vendin e tij drejt pavarësisë, ai është një nga personalitetet më të shquara ballkanike të shekullit të XX-të. Prej kur ishte president Ibrahim Rugova qëndroi besnik qëllimit për arritjen e pavarësisë së plotë të këtij vendi edhe kur filloi të negocionte një marrëveshje shkollash dhe universitetesh me Beogradin në vitin 1995, ai nuk e braktisi kurrë qëllimin e pavarësisë”, ka thënë Paglia.

Paglia ka deklaruar se Rugova ishte një mik shumë i mirë i tij, i cili e bëri të dashuronte popullin e tij, kosovar.

Abdixhiku: Liria erdh siç e kishim besuar të gjithë

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur konferencën ndërkombëtare “Rugova dhe perëndimi”, në vigjilje të 25 vjetorit të çlirimit duke kujtuar angazhimit e presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova.

Kryetari i LDK-së Lumir Abixhiku ka theksuar se reflektimin euroatlantik Kosova po e përjeton edhe tash, 25 vjet pas çlirimit.

“25 vite më parë ne gjetëm lirinë. Ajo na erdh si triumf prej testamenti i përpjekjes së gjeneratave të tëra; erdh si dritë e fundme e paqësorëve të 90-tave, besimi i të cilëve s‘reshturi së pushuari kurrë; erdh si altar përjetësie ku pushojnë djemtë e vajzat çlirimtare të Kosovës; erdhi si fitore e angazhimit monumental euroatlantik, që në qiellin sipër nesh na shfaqej nëpërmjet fluturakeve të NATO-s”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, liria erdhi nëpërmjet zërave të largët, “që aso kohe na u bënë të afërt dhe në gjithë tmerrin e luftës e pafuqisë, ishin mes nesh për të na thënë se nuk ishim vet dhe sdo të mbeteshim vet”.

“Na vinin nëpërmjet zërave të Bill Clinton, Tony Blair, Javier Solana, Wesley Clark, Madeline Albright, Jamie Shea, Joshka Fisher, Massimo D’Alema, e përplot liderë e akterë tjerë botëror, që në orët më të rënda tona u gjind krah nesh. Prandaj jemi mirënjohës përherë. Prandaj u jemi falënderues gjithherë! Liria erdh siç e kishim besuar të gjithë”, ka thënë ai.

Pjesë e kësaj konference janë edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ish-kryeministri i Italisë Massimo D’Alema, ambasadori i ShBA-së në Kosovë Jeffrey Hovernier e shumë personalitete tjera.

Abdixhiku duke e përmendur veprën e ish presidentit historik, Ibrahim Rugova, ka theksuar se ai ishte perëndimor autentik.

“Jemi të nderuar me praninë e secilit prej jush, njëzet e pesë vite më parë ne gjetëm lirinë, ajo erdhi si triumf testamenti, erdhi si dritë, si anëtarë përjetësie ku shohim vajza e djem, erdhi nëpërmjet zërave të largët që në aso kohe na u bënë të afërt, e ishin mes nesh për të na thënë se nuk ishim e s’jemi vetëm, na vinim përmes liderëve botëror që në orët më të vështira na u gjenden pranë nesh, andaj ju jemi mirënjohës e falënderues gjithnjë e përherë. Sot pikërisht për shkak të sakrificës s këtyre, unë dhe secili prej jush duhet te kuptojmë detyrimin e lirisë, prandaj kjo konferencë jo vetëm si kujtim nderues, por si skicë e projektimit të se ardhmes, qe na vjen në fjalë të presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova: Kosova shtet i pavarur me përkrahës e aleat. Presidenti, Evropën e konsideronte si bashkësi, e shqiptarët pjesë të tyre, ishte perëndimor autentik, Rugova veproi në një kohë të thyerjeve të mëdha, ai zgjodhi fjalën e lirë”, ne jemi popull perëndimor sikurse Ibrahm Rugova”, ka deklaruar Abdixhiku.

Në këtë konferencë, po marrin pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Massimo D’Alema, ish-kryeministër i Italisë dhe Jeffrey Hovenier, ambasador i ShBA-së.

 


MË SHUME NGA Lajme