Përurohet shtatorja e 7-vjeçarit të vrarë nga forcat serbe / VIDEO
BKT
Lajme

Përurohet shtatorja e 7-vjeçarit të vrarë nga forcat serbe / VIDEO

Fatos Cërvadiku/RTK

Leotrimi, 7-vjeçari i vrarë nga forcat serbe, u përjetësua në Skenderaj si simbol i 1432 fëmijëve të rënë për liri. Fjalët e tij, që ia kishte thënë nënës para se të jepte shpirt, janë në kujtesën e secilit. Por tash e tutje shtatorja e tij do të qëndrojë në qendër të Skenderajt, si simbol i sakrificës së të gjithë fëmijëve të Kosovës për lirinë e vendit.

Në 25-vjetorin e çlirimit, nënë Shukria ishte aty për ta parë të shkrirë në bronz shtatoren e djalit të saj 7-vjeçar.  Fjalëpakë ishte ajo para qindra të pranishmëve që e nderuan Leotrimin si sinonim i 1432 fëmijëve të rënë për lirinë e Kosovës.

Në shënim të kësaj ceremonie morën pjesë personalitete të ndryshme e qytetarë të Skenderajt, të cilët erdhën për të nderuar Leotrimin e Vogël.

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, tha se krahas shtatores së kryekomandantit legjendar, Adem Jashari, sheshi i këtij qyteti do ta mbajë edhe shtatoren e Leutrimit shtatëvjeçar që përfaqëson çdo viktimë të vrarë në luftën e Kosovës. 

“Kjo pjesë e sheshit të qytetit tonë nga sot do të personifikohet nga dy figura që u bënë të njohura me historinë e tyre. Nga Adem Jashari që personifikon trimërinë dhe guximin e trimave të UÇK-së duke dhënë jetën në shërbim të lirisë së popullit shqiptare për liri dhe nga Leutrim Ahmeti që përfaqëson çdo viktimë të vrarë në luftën e Kosovës. Pyetja e vetme që shtrohet më adresën e është se çfarë faji pati Leotrimi. Ai si 7 vjeçar në qendër të Skenderajt do të na ligjëroj mbi konventën e OKB-së për të drejtat e fëmijëve”, ka thënë ai.

Zbulimi i shtatores së Leotrimit ishte në mesin e ngjarjeve që u zhvilluan në Skenderaj, në shënim të 25-vjetorit të çlirimit.


MË SHUME NGA Lajme