Bislimi pas rekomandimit për heqje të masave: Asociacioni nuk është kusht
V.Thaçi / RTKlive
(E plotësuar) Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka bërë të ditur se asnjë shtet nuk ka qenë kundër heqjes së masave, përveç disave të cilat kanë kërkuar që ato të hiqen gradualisht. Ai ka thënë se ato qysh në fillim janë vendosur kanë qenë të padrejta. Sipas tij, padrejtësi shtesë ndaj Kosovës, ka qenë mos vendosja e masave ndaj Serbisë.
“Ne shpresojmë që asnjë vendim nuk do të ngrit zërin që më i kundërshtuar masat, për arsye se nuk ka pas një vend që është kundër heqjes së masave, ka pas dy-tre shtete të cilat kanë preferuar heqje graduale të masave në dy shkallë, por jo që ka pas të tillë të cilët kanë qenë kundër heqjes së masave, por shumica absolute e vendeve besohet se vendosja e masave ndaj Kosovës ka qenë e padrejtë mos vendosja e masave ndaj Serbisë ka qenë padrejtësia shtesë”, ka theksuar Bislimi, pas raportimit në Komisionin për Integrime Evropiane.
Ndërsa, i pyetur nëse themelimi i Asociacionit është kusht për heqjen e masave, Bislimi, ka thënë se kjo nuk është kërkuar nga Borrelli.
“Masat janë shumë të specifikuar dhe të caktuara, deklarata e zotit Borrell e datës 3 qershor, aty nuk përmendet Asociacioni”, ka theksuar ai.
Bislimi, ka thënë se jo të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, i shtyjnë përpara interesat e Kosovës, apo edhe vet BE-së.
“Ka interesa të ndryshme të vendeve anëtare jo të gjitha i shtyjnë përpara interesat e BE-së edhe të Kosovës por ka edhe të atillë që i favorizojnë disa kërkesa të Serbisë meqenëse i besojnë se në këtë mënyrë mund ta dorëheqin Serbinë drejt perëndimit por ky nuk është misioni jonë ne i gëzohem sa herë Serbia merr vendime që e çojnë atë drejt perëndimit por nuk është misioni jonë që ta kryjmë këta”, ka deklaruar ai.
Duke folur për dialogun me Serbinë, Bislimi ka thënë se shteti fqinjë është ai që është treguar destruktiv, e jo Kosova.
“Nuk e di, kjo nuk është bërë asnjëherë prej Kosovës është bërë nga destruktiviteti i Serbisë për arsye se Serbia në vazhdimësi e ka kundërshtuar zbatimin e marrëveshjes bazike duke pretenduar që nuk ka marrëveshje bazike tash situata është e komplikuar për arsye se si parakusht edhe për disbursimin e pjesës së parë nga fondi i rritjes apo grup plan që pritet të bëhet në korrik është një vlerësim i zotit Lajcak për konstruktivitetin e palëve e ky konstruktiviete do të varet nga ato se në ç’masë palët e pranojnë edhe sekuencimin si fazë edhe Serbia do ta ketë sfidë, unë e pranoj që e kanë një plan të sekuencimit për një marrëveshje të cilën nuk e njoh se ekziston do të thotë Serbia do të detyrohet ta pranojë se ka një marrëveshje për Kosovën dhe duhet ta zbatojë”, ka thënë Bislimi.
Të mërkurën, shefi për politikë të jashtme i BE-së, Josep Borrell, rekomandoi tek vendet anëtare që të hiqen masat e vendosura një vit më parë ndaj Kosovës.
Bislimi: Vendosja e masave ndaj Kosovës ka qenë e padrejtë
Zëvendeskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, raporton në Komisionin për Integrime Evropiane.
Zëvendëskryeministri Bislimi ka thënë se nuk dëshiron të spekulojë nëse do t'i hiqen masat ndëshkuese Kosovës, në mbledhjen e sotme të Komitetit Politik dhe të Sigurisë, megjithëse është raportuar se rekomandimi i përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell është për largimin e masave.
Në raportim e sipër në Komisionin për Integrime Evropiane, Bislimi ka theksuar se vendosja e masave ka qenë e padrejtë dhe mbi të gjitha ka vlerësime se ka pasur shkelje ligjore gjatë vendosjes së tyre.
“Kosova nuk e ka statusin e kandidatit për Bashkimin Evropian dhe në këtë fazë derisa sa të jemi anëtar të plotë Kosovës nuk i kërkohet që legjislacionin ta ketë në harmoni të plotë me atë të Bashkimit evropian. Kosovës i kërkohet që ta përafrojmë legjislacionin”, ka deklaruar Bislimi.
Bislimi ka thënë se Kosova është dëmtuar për shkak të masave, por se si qeveri i’u është dashur të marrin një vendim. Ai ka theksuar se është dashur ose të hiqet dorë nga sovraniteti në veri ose me paguar një çmim për insistimin e qeverisë që të vendoset sovraniteti ne veri. Ai ka thënë se qeveria mendon që ja ka vlejtur, duke theksuar se sot situata në veri është shume më mirë se para dy-tre viteve.
“Është sikur me ndërtu një shtet tjetër që nga fillimi, do të thotë kjo ja ka vlejtur. Kërkesa ka qenë me dal në zgjedhje me i fitu zgjedhjet edhe mos me shku në zyrë, për arsye se Radojçiqi donte mos me shku në zyrë. Radojçiqi është në arrati dhe e gjithë Evropa e konsideron si kriminel”, ka thënë ai.
Bislimi duke ju përgjigjur pyetjeve të deputetëve ka thënë se statistikat tregojnë që niveli i punësimit në Kosovë është shumë më i madh se sa para dy-tre viteve.
“Statistikat tregojnë që një pjesë e madhe e bizneseve nxjerr shpallje kërkojnë punëtor, e ku Kosova kërkon me importuar punëtorë nga jashtë”, ka thënë ai.
Sipas tij, në Kosovë nuk ka migrim më shumë se në vendet e tjera pas liberalizimit të vizave.
Në atë që flitet se Kosova është në krizë ekonomike, Bislimi ka thënë se bizneset sot kanë dyfish profit më shumë se para tri viteve dhe sipas tij nuk mund të ketë krizë deri sa dyfishohen profitet e bizneseve brenda tri viteve.
“Ma tregoni një vend në Evropë ku ka dyfishim te profiteve brenda tri viteve. Kosova sot ka të ardhura nga tatimi nga të ardhurat personale pothuajse nga dyfishi i para tri-katër viteve”, ka theksuar Bislimi.























