Konjufca: SEECP të kontribuojë në bashkëpunim rajonal e integrim evropian
M.Miftari/RTKlive
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka takuar homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Afrim Gashi, në kuadër të vizitës zyrtare të seancës së 11-të plenare të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore.
Përmes rrjetit social Facebook, kryekuvendari Konjufca u shpreh se në këtë takim ishte një mundësi e mirë për të diskutuar për të ardhmen sa më të mirë të rajonit tonë, në frymën e bashkëpunimit dhe gjithëpërfshirjes.
“Vizioni i zhvillimit ekonomik, i bashkëshoqëruar nga stabiliteti e siguria, nën parimet e palëkundura të demokracisë, bashkëpunimit, respektit dhe barazisë, si dhe qëllimeve të përbashkëta, janë formulimi që e sjell Republikën e Kosovës, si dhe vende të tjera të rajonit, në këtë organizim të rëndësishëm që i përgjigjet Strategjisë së Evropës Juglindore 2030, si dhe udhëzimeve të saj strategjike për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në rajon dhe progres në të mirë qytetarëve tanë”, ka shkruar Konjufca.
Tutje, Konjufca vuri në dukje se në këtë takim pati rastin që përgjatë bisedave të parashtronte kontributin dhe perspektivën e Kosovës përbrenda këtij vizioni të përbashkët, derisa shprehu gatishmërinë që në të ardhmen të ketë përsëri mundësinë që këto pikëpamje t’i paraqet përgjatë seancës plenare të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore.
“Kosova pret që SEECP të kontribuojë në përmirësimin e bashkëpunimit rajonal dhe integrimit evropian, të ndihmojë në rritjen e sigurisë në tërë rajonin, përfshirë Kosovën dhe të dënojë ashpër sjelljet që rrezikojnë paqen, stabilitetin dhe rrugëtimin evropian të Kosovës dhe rajonit. Gjithashtu, pret që ky forum të mbështesë fuqishëm ambiciet integruese të rajonit dhe të kërkojë nga institucionet e BE-së dhe shtetet anëtare të mundësojnë për Kosovën statusin e kandidatit në BE dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, ndër to edhe në Këshillin e Evropës”, ka shkruar Konjufca në Facebook.
























