Nuk realizohet takimi Kurti-Vuçiq në Bruksel
BKT
Lajme

Nuk realizohet takimi Kurti-Vuçiq në Bruksel

Gj. T. / RTK

(Plotësuar 18:30 )Edhe pse ishte planifikuar që të realizohet një takim i përbashkët mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksander Vuçiq me palën evropiane kjo gjë nuk ka ndodhur sot Bruksel.

U realizuan dy raunde të takimeve bilaterale me evroianet por jo një takim i perbashkët i liderëve.

Presidenti serb Vuçiq ka deklaruar se kryeministri Kurti ka refuzuar të mbahet takimi trepalësh.

 “Kurti nuk ka dashur të më shohë. Unë jam kthyer në takim tre herë, më kanë përcjellë mesazhet e tij, kështu që jam përgjigjur. Ai person nuk dëshiron të më shoh. Ata thanë që nuk ishte gati për një takim me mua”, deklaroi Vuçiq pas përfundimit të raundit të dialogut.

Në Bruksel sot janë mbajtur dy runde të takimeve dypalëshe mes përfaqësuesit të lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin serb, Vuçiq.

Për herë të dytë në takime bilaterale, Borrell takon Kurtin e Vuçiqin ndaras

(Plotësuar 17:45) Në kohën kur po pritej të nisë takimi tre palësh në Bruksel , mes kryeministrit Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq me përfaqësuesit evropian, palët janë rikthyer në takime bilateral.

Kjo është hera e dytë që lideret e Kosovës dhe Serbisë po mbajnë takime të ndara me palën evropiane.

Borrell përfundon takimet e ndara me Kurtin e Vuçiqin

(Plotësuar) Kanë përfunduar takimet bilaterale të Shefit për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Tani pritet konfirmimi për takimin e përbashkët.

Para takimeve me Kurtin dhe Vuçiqin, shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, tha se pret që në takimin e sotëm të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të diskutohet për arritjet në dialog, por edhe për nisjen e zbatimit të Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve.

Borell përfundon takimin me Kurtin, nis atë me Vuçiqin

Ka përfunduar takimi bilateral i kryeministrit Albin Kurti me Shefin për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Tani në takim është presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, derisa më pas është paraparë takimi trilateral.

Nis takimi Kurti-Borrell

Tashmë ka filluar takimi bilateral BE-Kosovë, përkatësisht takimi i Shefit për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe kryeministrit Albin Kurti.

Pas takimit me kryeministrin Kurti, Borell do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Në fund të takimeve dypalëshe kalohet në takimin trilateral: BE-Kosovë-Serbi.

Takimi Kurti- Vuqiq në Bruksel vjen për herë të parë pas më shumë se nëntë muajsh, me një rund të ri bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve, pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, kur një grup i armatosur serb sulmoi Policinë e Kosovës dhe vrau rreshterin Afrim Bunjakun.


MË SHUME NGA Lajme