KDI: Performanca në Drejtësi ka mbetur e njëjtë|Video
Arbana Hajredinaj / RTK
Instituti Demokratik i Kosovës ka publikuar rezultatet e sondazhit më të fundit me qytetarë, ku janë shpalosur këndvështrimet e tyre mbi ecurinë e Reformës në sektorin e Drejtësisë. Arbër Thaçi nga KDI tha se 57.2% e qytetarëve kanë vlerësuar se performanca e sektorit të drejtësisë ka mbetur e njëjtë.
Instituti Demokratik i Kosovës, në një konferencë për media, publikoi rezultatet e sondazhit me qytetarë lidhur me ecurinë e Reformës në sektorin e Drejtësisë, për tre vjet e gjysmë të mandatit të Kurtit.
U tha se mungesa e qartësisë dhe konsensusit politik mbi përmbajtjen e reformës, polemikat e shumta midis qeverisë dhe udhëheqësve të institucioneve të drejtësisë lidhur me ndryshimet legjislative si dhe dilemat mbi kushtetutshmërinë e ligjeve që prekeshin nga Reforma e shoqëruan procesin që nga fillimi.
“Prirja për reformim është materializuar në disa iniciativa legjislative ligjore shumë të rëndësishme ato nuk kanë arritur të përmbyllen dhe rrjedhimisht të përmbushin pritshmëritë e qytetarëve kundrejt premtimeve të ekzekutivit për reformim në këtë fushë”, tha Arbër Thaçi nga KDI.
Raporti u fokusua në vlerësimin e shtyllave kryesore të Reformës, Vetting-un për krerët e institucioneve të drejtësisë, reformat në Këshillin Prokurorial dhe projektligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme të zyrtarëve politikë.
“Tek çështja e Vetting-ut qeveria do të duhej të kishte një plan alternative në kuptim që të shmangte bllokadën e krijuar nga mungesa e deputetëve serb, tek projektligji për Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme ne pohojmë se gjykata kushtetuese ka tejkaluar afatin optimal që do të duhej për të dhënë një përgjigje dhe tek projektligji i Këshillit Prokurorial të Kosovës, qeveria, së bashku me kuvendin, duhet që pa vonesa, duke respektuar opinionet e Komisionit të Venecias të përmbyllë draftimin e këtij ligji”, tha Thaçi.
Ky hulumtim është realizuar me metodën e omnibusit, në të cilën kanë marrë pjesë 1065 respondentë të moshës mbi 18 vjeç. Periudha e anketimit përfshin kohën nga data 6 deri më 15 qershor 2024.























