Shtimi i lëndëve në sistemin gjyqësor pengon gjykimet e arsyeshme |VIDEO
Arlinda Sejda / RTK
Një ndër problemet e sistemit të drejtësisë është kohëzgjatja e afateve ligjore që cenon një prej komponentëve kyçe të gjykimit të drejtë, e që është gjykimi brenda një afati të arsyeshëm kohor. Ky është konstatimi i raporti për gjykim të arsyeshëm, i publikuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Mbi 112 mijë lëndë të pazgjidhura figurojnë në gjykatat themelore.
E drejta për gjykim në kohë të arsyeshme ka vazhduar të shkelet, madje në mënyrë sistematike.
Hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Gzim Shala tha se një nga arsyet e stërzgjatjes së gjykimeve të arsyeshme mbetet ngarkesa e madhe e gjykatave me lëndë. Sipas tij, e gjithë situata është ndikuar nga faktorë jashtë gjyqësorit, sikurse janë moszbatimi i obligimeve të institucioneve publike që rrjedhin nga kontratat kolektive.
“Kur një qytetar është duke pritur për më tepër se tri (3) vite në shkallë të parë për të marrë drejtësi, i drejtohet Kryetarit të Gjykatës me kërkesë për përshpejtim të procedurës. Kur kryetari i Gjykatës vendos të pranojë kërkesën për përshpejtim të procedurës dhe të përcaktojë një afat kohor për zgjidhjen e çështjes gjyqësore, atëherë gjykata duhet ta trajtojë këtë rast brenda afateve të përcaktuara në vendimin e Kryetarit të Gjykatës”, ka thënë Gashi.
“Supozohet se kryetari i gjykatës nxjerr një vendim që konstaton se shkelet afati i arsyeshëm kohor, kjo normë cenohet nga neni i projektligjit që thotë se në rast se gjykata merr vendime brenda afatit 30 ditësh, veprime këto që kërkohen prej palës pushon kërkesa për përshpejtim të procedurës që bien në kundërshtim me nenin 13 të këtij projektligji”, ka thënë Flamur Kabashi, hulumtues IKD.
Shtyrja e seancave gjyqësore, mos-dërgimi me rregull i ftesave gjyqësore, pamundësia e dërgimit të ftesave në mënyrë elektronike, vonesat e lëndëve te ekspertët, janë disa nga problemet të cilat evidentohen në Koncept-Dokumentin për Kodin e Procedurës Civile.























