Osmani: Aleanca me SHBA, gurthemel për stabilitetin e prosperitetin global
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në Uashington me ftesë të sekretarit amerikan, Antony Blinken, ka falënderuar atë për pritjen dhe diskutimin e sotëm në Departamentin e Shtetit në Uashington D.C., në kuadër të Samitit të NATO-s.
“Aleanca me SHBA-të nuk është vetëm një dëshmi e vlerave dhe parimeve tona të përbashkëta demokratike, por edhe një gurthemel për stabilitetin dhe prosperitetin global”, ka thënë Osmani.
Ndërkaq, sekretari Blinken gjatë adresimit të tij në forumin e organizuar nga DASH-i për gratë, paqen dhe sigurinë e ka falënderuar presidenten Osmani për pjesëmarrje.
“Këtë vit SHBA-ja hapi qendrat rajonale ‘Gratë, Paqja dhe Siguria’ në Kolumbi dhe Kosovë. Ne jemi mirënjohës që kemi presidenten Osmani këtu me ne sot. Presidentja Osmani ishte e rëndësishme në nisjen e kësaj iniciative. Ajo tashmë po demonstron mënyrën se si këto qendra mund të shërbejnë si qendra për ide dhe për inovacion. Në muajt në vijim do të hapim qendrën e tretë në Filipine”, ka thënë Blinken.























