Zjarr i madh në Kanada – po ndihmojnë zjarrfikësit nga disa vende
M.Miftari/RTKlive
Qindra zjarrfikës nga e gjithë bota po shkojnë në Kanada për të luftuar zjarret e egra që janë ndezur në Alberta të Kanadasë. Zjarri është ende jashtë kontrollit, sipas autoriteteve lokale.
“Ky është makthi më i keq për çdo shoqëri”, thotë kryeministri provincial, njofton BBC.
Midis 30 dhe 50 për qind e ndërtesave në vendpushimin turistik Jasper thuhet se janë shkatërruar nga zjarri i madh pyjor, që shpërtheu atje dhe në parkun kombëtar përreth.
Sipas kryeministres së Albertës, Danielle Smith, ende nuk dihet saktësisht se çfarë infrastrukture është shkatërruar.
“Por do të përfshijë rindërtim të gjerë dhe zhvendosje”. Ajo thotë se zjarri ende nuk është nën kontroll.
Nuk raportohet për persona të lënduar. Në fillim të kësaj jave, një evakuim masiv i zonës u krye, pasi disa zjarre pyjore shkatërruan, si në veri, ashtu edhe në jug të qytetit, raporton AP.
Pesë mijë banorët e qytetit dhe 20,000 turistë u larguan të hënën dhe të martën përpara se flakët të arrinin në zonë, të mërkurën në mbrëmje.
Sipas autoriteteve lokale, zjarri përshkoi pesë kilometra me erëra të forta në vetëm gjysmë ore dhe rreth 100 metra i lartë "muri i zjarrit" arriti në qytet.
"Çdo zjarrfikës mund të dëshmojë se ka pak ose asgjë që mund të bëjë, kur një mur zjarri i tillë vjen drejt teje," tha ministri i Sigurisë Publike në Alberta, Mike Ellis.
Në një postim në X, kryeministri kanadez, Justin Trudeau, falenderon zjarrfikësit "guximtarë" në Alberta. Ai, gjithashtu, njoftoi se më shumë se 400 zjarrfikës nga Australia, Zelanda e Re, Meksika dhe Afrika e Jugut janë në rrugën e tyre për në Kanada për të ndihmuar në luftimin e zjarreve.
Parku Kombëtar Jasper është në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, për peizazhet unike malore atje.























