Sonte gala mbrëmja e tre tenorëve në ‘Rame Lahaj & Friends’
Foto: RLIOF
Kulturë

Sonte gala mbrëmja e tre tenorëve në ‘Rame Lahaj & Friends’

M.P. / RTKlive

Sonte do të mbahet gala mbrëmja “Rame Lahaj& Friends” në sheshin `Skënderbeu` në Prishtinë, duke filluar nga ora 20:30.

“Tre emra të njohur të skenave prestigjioze do të bashkohen për të na ofruar një natë të mbushur me emocion nën moton ‘T’knoft zemra’. Në skenën e ngritur në zemër të kryeqytetit, tenori kosovar Rame Lahaj do të shoqërohet nga Charles Castronovo, i njohur ndërkombëtarisht si një nga tenorët më të mirë të brezit të tij, si dhe Murat Karahan, një yll i operas me mbi 50 role kryesore në të gjithë botën, i vlerësuar si ‘artisti më i suksesshëm operistik i vitit”, thuhet në njoftimin e Rame Lahaj International Opera Festival.

Tre tenorët do të shoqërohen në skenë nga Orkestra e Operas së Kosovës, e udhëhequr nga Maestro Sascha Goetzel, dirigjenti dinamik dhe karizmatik i njohur për bashkëpunimet me orkestra prestigjioze në mbarë botën.

Ai mbrëmë në konferencën për media ka deklaruar se e artistët janë përgjegjës për krijimin e një të ardhmeje më të mirë.

Meriton Ferizi, ushtrues i detyrës së drejtorit të Operas së Kosovës, theksoi se për institucionin e ri është një përgjegjësi të shoqërojë artistë të njohur, teksa ritheksoi nevojën për një sallë dinjitoze për të përçuar një imazh të denjë jashtë vendit.

Tenori Charles Castronovo vuri në dukje energjinë pozitive që ka gjetur në Prishtinë, ddërsa tenori Murat Karahan tha ka ndjesinë e shtëpisë dhe se arti ka fuqinë të hapë shumë dyer.

Rame Lahaj, themeluesi i festivalit, falënderoi përfaqësuesit institucionalë, artistët dhe ekipin për realizimin e suksesshëm të këtij edicioni të RLIOF. Ai gjithashtu bëri thirrje për mbështetje në ndërtimin e një salle koncertale të denjë për Prishtinën dhe Kosovën.


MË SHUME NGA Kulturë