Artistët shesin punime për të ndihmuar ndërtimin e objektit të `Hendikosit`
Zenel Hajrizi/RTK
Artistët kanë vendosur që të krijojnë vizatime nëpër çanta të ndryshme, dhe t’i shesin ato. Me ato para ata do të kontribuojnë në përfundimin e punimeve të objektit të Personave me Aftësi të Kufizuara në Ferizaj.
Piktorja Pranvera Sylejmani, e përkrahur edhe nga piktorët e rinj, ka zgjedhur që nëpërmjet shitjes së çantave të pikturuara, të kontribuojnë për përfundimin e ndërtimit të objektit për personat me aftësi të kufizuar i filluar muaj më parë . Në këtë aksion, me pikturat e tyre po marrin pjesë edhe artistët e shoqatës “Zef Kolombi”.
“Kjo iniciativë ka qenë forma e vetme të cilën unë dhe artistët e rinj kemi mundur të kontribuojmë për mesë profesionit të artit duke promovuar figura kombëtare veshjet tradicionale duke përcjellë mesazhe të ndryshme përmes pikturimit në çanta”, tha Pranvera Sylejamani.
Piktori Hebib Musliu tha se disa vepra do ua dhurojnë shoqatës Hendikos .
“Ata kuptohet që ato punime do ti shesin dhe që kontributi të shkojë për Hendikos. Kështu që artistët gjithmonë kanë qenë dhe janë për të kontribuar në mënyrë humane”, tha Musliu.
Qytetarët, e sidomos mërgimtarët, po shprehin interesimin e tyre për çantat dhe pikturat që me blerjen e tyre të ndihmojë sadopak.
“Si erdha këtu e pashë që është Hendikos dhe më interesoi për Hendikosin që është shoqatë e personave me aftësi të kufizuara dhe thashë hajde të shoh çka kanë punuar dhe njëkohësisht të ndihmojmë, dhe për vete blejmë për qejfin tonë”, tha Muhamer Ramadani, qytetar.
Nga kjo shoqatë u shprehën falënderues.
“Aktivitetet kanë të bëjnë që secili qytetar të jetë hisedar në objektin, dmth artistët kanë krijuar piktura të ndryshme kompanitë na kanë ofruar pije gjëra ushqimore krejt me qëllim që të jenë pjesë e ndërtimit të objektit”, deklaroi Enver Kosumi - Drejtori i shoqatës “Handikos” në Ferizaj.
Të gjitha mjetet e grumbulluara nga shitja e çantave të veçanta dhe pikturave do të shkojnë në fondin për përfundim e objektit të qendrës që u dedikohet personave me aftësi të kufizuara.























