Mësimi gjithëditor, Abdixhiku: Vitin e ardhshëm edhe shkollat e tjera
BKT
Lajme

Mësimi gjithëditor, Abdixhiku: Vitin e ardhshëm edhe shkollat e tjera

G.K/RTKlive

Nga 1 shtatori në disa shkolla të kryeqytetit do të nisë mësimi gjithëditor. Duke folur për këtë vendim të Komunës së Prishtinës, kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku tha se kjo ide e bukur dhe e guximshme ishte ide e drejtoreshës së arsimit, Jehona Lushaku-Sadriu.

Në profilin e tij në Facebook, Abdixhiku ka treguar detaje se si nisi ky rrugëtim për reformën në shkolla.

“Jehona donte mësimin gjithëditor për fëmijë. Fëmijë që rrinë në shkollë, si çdo fëmijë tjetër në Evropë! Donte t’i bënte fëmijët e klasave 1-5, ata më të vegjlit dhe më të ndjeshimit, bashkë në shkolla të njëjta. Në Reformën e Jehonës, ata do të nisin mësimin në ora 8:00. Në ora 12:00, nuk do të liheshin të lirë, por do të hanin drekë – në shkollë. Nga aty deri në ora 15:00 do t’i bënin detyrat e shtëpisë siç dhe do t’i bënin aktivitetet sportive e kulturore. Për të bërë këtë, disa shkolla duhej bashkuar, disa të tjera duhej ndarë e bartur, të gjitha duhej rinovuar në tërësi. Shkollat, mbi të gjitha, duhej pajisur me kuzhina të reja, korridoret me rafte për secilën fëmijë, kujdestarët mësimdhënës të shtoheshin në punë, e mbi të gjitha, të zhvilloheshin konsultime me prindër, mësimdhënës e akterë – të gjitha para shtatorit.”

Abdixhiku theksoi se fillimisht kjo u duk si e pamundur por që sipas tij, drejtoresha e arsimit kaloi verën duke punuar në këtë drejtim.

“Jehona nuk kaloj verën në vëzhgim të kërcimeve dallëndyshe në Ujman. Ajo zhvilloj konsultime me prindër. Bashkoj mësimdhënësit. Kontraktoj renovues, inspektoj çdo ditë kuzhinat e reja ku do të shërbehej ushqim cilësor për fëmijë. Jehona kaloj një verë të tërë në përgatitje për shtator. Sot, erdh dhe më tha: ‘Reforma u bë!’”, shkruan kreu i LDK-së.

Abdixhiku bëri të ditur se nga 1 shtatori, në shkollat “Faik Konica”, “Xhemail Mustafa”, “Nazim Gafurri”, “Shkolla e Gjelbër” e “Qamil Batalli” do të nisë mësimi gjithëditor.

Ai tha se vitin e ardhshëm do të shtohet numri i këtyre shkollave, ndërsa shtoi se “Rruga e Re” synon që këtë model ta aplikojë në tërë Kosovën.


MË SHUME NGA Lajme