Policia po vazhdon hetimet rreth vrasjes në Prishtinë
Edona Podvorica |RTK
(E plotësuar, ora 22:05) Rruga “Ismet Krasniqi” në lagjen “Kodra e Trimave”, në Prishtinë ku ndodhi ngjarja tragjike, vazhdon të jetë e bllokuar nga forcat e mëdha të Policisë së Kosovës, që po vazhdojnë të kryejnë hetimet e nevojshme mbi rastin që la të vdekur një person. Trupi i pajetë i të vrarit pas hetimeve të kryera është larguar nga vendi i ngjarjes për t’u dërguar në obduksion.
Vrasje në Prishtinë, e dyshuara dorëzohet në Polici
M.Miftari |RTKlive
Një vrasje ka ndodhur sonte në Prishtinë.
Policia e Kosovës, njofton se sot rreth orës 19:20 ka pranuar informatën për një vrasje, që ka ndodhë në rrugën ‘Ismet Krasniqi’ në Prishtinë.
“Menjëherë policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Lidhur me rastin është vetëdorzuar një person dyshuara: -N.M. femër. Aktualisht hetuesit policor, në koordinim me prokurorin e shtetit janë duke punuar për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me këtë rast”, tha për RTKlive, zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.























