Islami: Vizita e shefit të CIA-së, mesazh për vendet e Ballkanit
E.Hoti |RTKlive
Profesori i shkencave të sigurisë, Avni Islami tha se është jashtëzakonisht e rëndësishme që shefi i CIA-së,William Burns e vizitoi Kosovën në këtë kohë.
Në një intervistë në “Info Plus” të RTK-së, ai tha se shefi i CIA-së ka ardhur me një porosi nga presidenti amerikan, Joe Biden, e cila sipas tij përçoi një mesazh tek shtetet e Ballkanit
“Ishin të jashtëzakonshme takimet të cilat i bëri me presidentë dhe me figura publike. Kjo ishte përçim i një mesazhi se shefi i CIA-së ka ardhur me një mesazh të veçantë, me një porosi nga presidenti Biden. Ajo përçoi një mesazh tek shtetet e Ballkanit, e sidomos te ato vende të cilat konsiderohen që mund të jenë vatra të krizës si Bosnja dhe Hercegovina, Beogradi dhe Kosova “, tha ai.
Ai deklaroi se lëvizjet e shefit të CIA-s, William Burns në Ballkan ishin befasuese. “Zakonisht vizitat e shefit të CIA-së nuk bëhen publike ngase nuk e shohin të nevojshme që të ketë itinerar të lëvizjes së tij për shkak të rëndësisë së shefit të Shërbimit Inteligjent të CIA-s. Prandaj, edhe lëvizjet e tij në Ballkan ishin befasuese sepse nuk ka pasur paralajmërim të vizitës së tij “, shtoi ai.
Islami foli edhe për vizitën e Burns në Bosnje dhe Hercegovinë. Sipas tij mesazhi të cilin e përçoi shefi i CIA-s, William Burns te Millorad Dodik "është se nëse është nevoja Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe ushtarakisht do të ndërhyjnë dhe se shteti i Bosnjës dhe Hercegovinës është unik dhe i pandashëm dhe se askush nuk guxon që të luaj me kufijtë" .
Nga ana tjetër, ai theksoi se vizita e shefit të CIA-s në Beograd mbeti e heshtur dhe nuk u dha asnjë deklaratë për të.
“Është interesante se asnjë deklaratë nuk është lëshuar për dallim nga institucionet e Kosovës si deklarata nga Presidenca dhe Kryeministria, ndërsa nga Beogradi nuk ka asnjë deklaratë”, nënvizoi ai .























