Kurti u bën thirrje mërgimtarëve që të regjistrohen deri më 31 gusht
BKT
Lajme

Kurti u bën thirrje mërgimtarëve që të regjistrohen deri më 31 gusht

E. Hoti / RTKlive

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u bëri thirrje mërgimtarëve që të regjistrohen. Kurti, përmes një video mesazhi, ka kërkuar nga qytetarët në diasporë që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre. Me një videomesazh, ai u bëri thirrje që ata që nuk janë regjistruar ta bëjnë këtë përmes platformës e-diaspora.

Kurti ka theksuar se procesi i regjistrimit si qytetarë jo rezident të Republikës së Kosovës është mundësia për të forcuar lidhjen me atdheun.

“Duke u regjistruar, ju bëheni pjesë aktive e ndërtimit të së ardhmes së Kosovës dhe të vetë mërgatës. Përdorni të drejtën tuaj kushtetuese dhe regjistrohuni online përmes platformës e-diaspora deri më 31 gusht 2024. E krahas platformës e-diaspora, ju mund të informoheni dhe sipas nevojës edhe të ndihmoheni për t’u regjistruar, në objektet e komunave rajonale të Kosovës, nga zyrtarët e Agjencisë së Statistikave të Kosovës”,ka shkruar Kurti në Facebook..

Ai ka shtuar tutje se regjistrimi është i shpejtë dhe i lehtë, por me ndikim të madh.

“Të dhënat tuaja do të ndihmojnë në krijimin e politikave që mbështesin mërgatën, përmirësojnë shërbimet, si dhe forcojnë lidhjet kulturore dhe arsimore me atdheun. Mërgata është pjesë e pandashme e kombit tonë, andaj ju ftoj që të regjistroheni secili dhe secila prej jush!”, ka shkruar tutje Kurti.


MË SHUME NGA Lajme