Osmani dhe Goffus diskutuan edhe për çështjen e hapjes së urës së Ibrit
BKT
Lajme

Osmani dhe Goffus diskutuan edhe për çështjen e hapjes së urës së Ibrit

V.Thaçi / RTKlive

(E plotësuar) Presidenca njofton se në takimin e presidentes së vendit, Vjosa Osmani me ndihmës-sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Operacione, Thomas Goffus, Osmani, është shprehur se Kosova mbetet e përkushtuar për bashkëpunim të vazhdueshëm me NATO-n dhe KFOR-in për adresimin e sfidave në fushën e sigurisë.

Në njoftim tutje thuhet se më tej, presidentja Osmani ka falënderuar NATO-n për angazhimin e deritashëm për paqe, siguri dhe stabilitet dhe në këtë kontekst ritheksoi objektivin strategjik të Kosovës për integrim në komunitetin euroatlantik, duke shprehur besimin se anëtarësimi në NATO do të kontribuojë për sigurinë dhe stabilitetin e gjithë rajonit.

Në takim me Ndihmës Sekretarin Goffus, ndër të tjera u diskutua edhe për çështjen e hapjes së urës së Ibrit.

Osmani ka përsëritur qëndrimin për hapjen e urës, porse ka potencuar rëndësinë e mirëmbajtjes së komunikimit, koordinimit dhe thellimit të bashkëpunimit në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë, veçanërisht me NATO-n, për hartimin e një plani të përbashkët të zbatimit për hapjen e urës.

Fillon takimi Osmani - Goffus

Edona Podvorica / RTK

Ka filluar takimi i presidentes së vendit, Vjosa Osmani me ndihmës-sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Operacione, Thomas Goffus.

Goffus po qëndron në Kosovë për vizitë zyrtare, teksa do të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti.

Temë e diskutimeve, sipas kreut të ekzekutivit do të jetë edhe  çështja e hapjes së urës mbi lumin Ibër.


MË SHUME NGA Lajme