Krerët e shtetit e vlerësojnë lartë Policinë e Kosovës|Video
E. Hoti, V.Thaçi, K.Kasumi| RTKlive
Policia e Kosovës po e shënon 25 vjetorin e themelimit me aktivitete të ndryshme. Në ceremoninë solemne ishin të pranishëm personalitetet e larta shtetërore, menaxhmenti i lartë i PK-së, si dhe personalitete të agjencive të sigurisë nga Kosova, rajoni dhe më gjerë.
Presidentja Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Policia e Kosovës vazhdon të jetë një ndër institucionet më të besueshme në vend. Në ceremoninë qendrore për shënimin e 25-vjetorit të themelimit të Policisë, Osmani ka thënë se puna e tyre ka qenë e rëndësishme për ndërtimin e një shoqërie ku mbizotëron rendi dhe ligji.
“6 shtatori shënon një moment të rëndësishëm të Policisë sonë, një ditë që nuk është vetëm një festë e institucionit, por nderim për sakrificën e grave dhe burrave që kanë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë si gardianë të rendit, sigurisë dhe sovraniteti tonë. Policia, gjatë këtij çerek-shekulli, vazhdon të jetë një nga institucionit më të besuara e të rëndësishme të shtetit tonë. Puna juaj ka qenë e rëndësishme për ndërtimin e një shoqërie ku mbizotëron rendi e qetësia”, ka theksuar Osmani.
Ajo ka kujtuar edhe 23 policët e rënë në detyrë, dhe policin Afrim Bunjaku i cili u vra në Banjskë,ku tha se trimëria e të cilëve i frymëzon të gjithë.
“Nuk mund të flasim për Policinë e Kosovës pa përmendur policët e rënë në detyrë. Në mesin e 23 policëve të rënë në detyrë, i fundit është Afrim Bunjaku, trimëria e të cilëve na frymëzon të gjithëve. Ai bashkë me shumë të tjerë bëri sakrificën më te madhe për vendin tonë. Trashëgimia e të gjithë atyre që dhanë jetën për liri jeton në vlerat që ju pjesëtarët e Policisë së Kosovës i bartni çdo ditë”, ka deklaruar ajo.
Osmani ka theksuar se Policia e Kosovës duhet të vazhdojë të zhvillohet dhe të jetë e gatshme tu përgjigjet edhe kërcënimeve të reja, në një ambient gjithnjë e më kompleks. “Në kohë krize edhe sfidash duhet të qëndroni të palëkundur, për sigurinë e shtetit tonë , të ndërtuar me aq mund e sakrificë”, ka theksuar Osmani.
Kurse kryeministri i vendit Albin Kurti në këtë ceremoni ka theksuar se që nga themelimi Policia e Kosovës ka pasur mbështetje nga OSBE dhe programi ndërkombëtar i asistencës për trajnimin në hetime penale ICITAP nga partnerët e aleatët tanë.
Kryeministri u shpreh se është krenar e mirënjohës për arritjet e policisë së vendit dhe se shërbimi më integritet, dinjitet dhe reagimi me profesionalizëm i bazuar në ligjet tona janë drejtimet mbi të cilat duhet të fuqizohet edhe më tej policia e vendit.
“Veprimet e policisë së vendit në sulmet e një pas njëshme në tri vitet e fundit nga grupet kriminale të dirigjuara nga Serbia e veçanërisht në sulmin terrorist të 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit, kanë dëshmuar se me profesionalizëm dhe guxim arrihen rezultate në misionin e sundimit të ligjit, mbrojtjes së jetës së qytetarëve, sovranitetit shtetëror e të integritetit territorial”, tha Kurti.
Kryeministri ka thënë se shteti i Kosovës mbetet shembull i suksesit.
“Për vlera që promovojnë vendet demokratike shteti ynë mbetet shembull i suksesit dhe kjo natyrisht falë punës së palodhshme të institucioneve tona e veçanërisht të policisë së Kosovës. Policia e Kosovës me plotë 60 gjenerata vazhdon të vlerësohet si institucioni me besueshmërinë më të lartë nga qytetarët tanë”, ka deklaruar ai.
Kurti ka theksuar se si qeveri policinë e Kosovës e kanë mbështetur në të gjitha nevojat, duke theksuar se investimi në mbrojtje dhe siguri është investim për paqe dhe rend.
“Mbështetja e jonë nuk do të mungojë as në të ardhëm sepse policia duhet të jetë gjithmonë në nivel të lartë të detyrës”, ka theksuar Kurti.
Ndërkaq ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se përkushtimi i vazhdueshëm i policëve tanë ka bërë që sot Policia e Kosovës të jetë institucioni më i besueshëm për qytetarët tanë i ngritur profesionalisht e trajnuar mirë dhe e gatshme për t’iu përgjigjur çdo rreziku që cenon sigurinë e vendit tonë.
Ai ka theksuar se 25 vite më parë kur pas sakrificave të gjata e të mundimshme të popullit tonë për liri erdhi dita qe të themelohet edhe shërbimi policor i Kosovës që ishte domosdoshmëri e kohës dhe vendit.
“Bashkëpunimi i ngushtë dhe shkëmbimi i përvojave me pjesëtarët e misioneve ndërkombëtare që ndihmuan në fillet e para të Policisë tonë ashtu si dhe përkushtimi i vazhdueshëm i policëve tanë kanë bërë që sot Policia e Kosovës të jetë institucioni më i besueshëm për qytetarët tanë i ngritur profesionalisht e trajnuar mirë dhe e gatshme për t'iu përgjigjur çdo rreziku që cenon sigurinë e vendit tonë", tha ndër të tjera ai.
“Policia ka shënuar rezultate të jashtëzakonshme në goditjen e grupeve kriminale, rrjeteve e laboratorëve të kontrabandës, korrupsionit e mbi të gjitha ka mbrojtur me çdo çmim integritetin territorial dhe shtrirjen e sovranitetit veçanërisht veriun e vendit tonë”, ka deklaruar Sveçla.
Në shënimin e 25-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, drejtori i këtij institucioni, Gazmend Hoxha, ka theksuar se për këto 25 vjet, policia ka dëshmuar se është një institucion i ndërtuar mbi themele të forta, me një mision fisnik të mbrojë dhe të shërbejë.
Sipas tij, nga ditët e para të themelimit, policia ka qenë dhe vazhdon të jetë gardiane e rendit, ligjit dhe të drejtave të qytetarëve, duke kontribuar në stabilitetin dhe sigurinë e vendit tonë.
“Për 25 vjet policia është përballur me sfida të shumta, por gjithmonë ka triumfuar mbi to. Në këto 25 vjet policia ka arritur një nivel të lartë të profesionalizmit dhe bashkëpunimit me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, duke qene një model i suksesit për rajonin dhe më gjerë”, ka theksuar Hoxha.
Hoxha ka deklaruar se Policia e Kosovës është organizatë profesionale dhe se duke respektuar diversitetin gjinor dhe etnik, menaxhmenti i këtij institucioni i kushton një rëndësi të veçantë proceseve të rekrutimit duke inkurajuar sikurse femrat ashtu edhe minoritetet që t’i bashkohen.























