Bulliqi i kundërpërgjigjet Hysenit: Je një mjeran politik
Sh.Ç/RTKlive
Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i është kundërpërgjigjur akuzave të kryetarit të degës së LDK-së në Podujevë, Ekrem Hyseni, i cili me rastin e vendosjes së shtatores së Presidentit historik Ibrahim Rugova në Podujevë, e quajti Bulliqin mashtrues.
Bulliqi, në reagimin e tij ka thënë se “është për të ardhur keq, por nuk është e papritur që një person si Ekrem Hyseni përpiqet ta përbaltë mua në një moment kaq të rëndësishëm".
“Në këtë moment ai dhe partia e tij duhet të ndjehen të turpëruar që për 20 vjet në pushtet nuk arritën ta nderojnë asnjëherë Presidentin Rugova, por e keqpërdorën gjithmonë figurën dhe personalitetin e tij për përfitime elektorale”, ka shkruar Bulliqi.
Ai ka thënë se “Ekrem Hyseni si një mjeran politik që s’dinë nga të kapet nuk është në gjendje të kuptojë se respekti dhe nderimi për një figurë si Dr. Ibrahim Rugova shkon përtej interesave të ngushta personale”.























