Kurti: Ura e Ibrit duhet të hapet, po i presim QUINT-in dhe KFOR-in
Arlinda Sejda/RTK
Kryeministri Albin Kurti, gjatë qëndrimit në veri gjatë ditës, ka deklaruar se Ura e Ibrit duhet të hapet për automjete, duke shtuar se liria e lëvizjes, sundimi i ligjit dhe marrëveshja në Bruksel e kërkojnë një gjë të tillë. Kurti shtoi se janë duke pritur miratimin e QUINT-it dhe KFOR-it.
“Ne jemi gati, me konsultime dhe koordinim, po i presim QUINT-in dhe KFOR-in, ne i kemi kryer punët tona, kemi bërë përgatitjet sa i përket pastrimit, mjedisit rrotull aty, edhe vlerësimit të qëndrueshmërisë në aspektin fizik dhe teknik, tashmë kanë kaluar bukur kohë që raporti preliminar thotë se ura është e qëndrueshme, besoj ajo urë duhet të hapet edhe për automjete sepse liria e lëvizjes, sundimi i ligjit dhe marrëveshja në Bruksel e kërkojnë një gjë të tillë”, tha ai.
Kurti tha se qytetarët në veri nuk e kanë kundërshtuar ardhjen e politikanëve nga Prishtina.
"Qytetarët janë paqësorë, duan paqe dhe siguri. Jam këtu për mirëqënien e tyre. Puna ime nuk është t’i ndaj gjërat këtu në baza kombëtare apo etnike, por të jem këtu për të gjithë qytetarët, pa diskriminim ose privilegj, sepse çdo herë që dikush është i priviligjuar, një tjetër është i diskriminuar”, deklaroi kryeministri Kurti.
Gjatë vizitës, Kurti u fishkëllye nga politikani serb, Aleksandër Arsenijeviq, të cilin e arrestoi policia me arsyetimin e prishjes së rendit publik. Kurti u pyet më vonë nga mediet për arrestimin e tij, ndërsa u përgjigj se kushdo që ka vërejtje ndaj policisë së Kosovës, le të ankohet në Inspektoratin Policor.
Kryeministri ka marrë pjesë në vënien e gurthemelit të objektit të ri që do të akomodojnë degën e Agjencisë së Regjistrimit Civil dhe nën-stacionin e Policisë së Kosovës në fshatin Leshak të Komunës së Leposaviqit.























