‘City-Inter do të jetë një superpërballje’
F.B/RTKLive
Trajneri i njohur i futbollit tonë, Muhamet Dragusha në emisionin sportiv në RTK që i dedikohet Ligës së Kampionëve, ka thënë se dueli mes Manchester Cityt dhe Interit, do të dhurojë një superndeshje.
City dhe Inter do të përballen sonte në ‘Etihad Stadium’ në kuadër të rundit të parë në garën më të madhe evropiane, Liga e Kampionëve.
“Shpresoj të shohim një ndeshje super të mirë. Duke marrë parasysh që kemi dy gjigantë evropianë, do të shohim një super përballje. Lojtarët që kanë të dy skuadrat tregon se do të ketë spektakël. Interi është kampion në Serie A, ndërsa Man City që shumë vite s’pe lëshon frontin në Angli”, ka thënë Dragusha.
Ndërkohë, edhe Blerim Zenuni, një tjetër analist i futbollit, është i bindur se përballja mes ‘Qytetarëve’ dhe ‘Nerrazzurëve’ do të prodhojë një ndeshje fantastike.
Sipas tij, City është favorit pasi që sipas Zenunit, City ka bankinë më të fortë.
“E vetmja befasi është mungesa e Lautaros që sipas Inzaghit është lodhja. City ka një formacion fantastik, me ardhjet si Gvardiol e Savinho. Kur e shohim bankën e Cityt atëherë është favorit për ta fituar”, ka pohuar Zenuni.
Se dueli mes Cityt dhe Interit do të jep një ndeshje dramatike e mendon edhe futbollistja e njohur kosovare Kaltrina Biqkaj.
“Normal Liga e Kampionëve është prej garave më të mëdha dhe prestigjioze, ku secili futbollist ëndërron të arrijë. Unë e kam pasur kënaqësinë të luajë. Sonte pres një lojë shumë të mirë, do të jetë një rimeç, ku ka fituar Manchester City. Do të jetë lojë shumë e mirë duke marrë parasysh formën e Cityt dhe Interit”, ka theksuar Biqkaj.
Ndeshja City-Interi fillon në orën 21:00 dhe transmetohet drejtpërdrejt në RTK.























