Foniqi: RTK është universitet i popullit
E. Hoti / RTKlive
Shaqir Foniqi, figurë emblematike e RTK-së gjatë emisionit special kushtuar 25-vjetorit të themelimit të këtij mediumi tha se televizioni tani është një mjet magjik.
“Mund të them me plotë përgjegjësi se nuk e di ende sot e kësaj dite se a ishte shtëpia ime e vërtetë e para apo televizioni ishte i pari. Kam harxhuar shumë djersë këtu. Uroj që RTK të ketë punë të gjatë. Unë e quaj veten me fat që kam pasur rastin të punoj në një televizion i cili padiskutueshëm është një universitet i popullit”, tha Foniqi.
Ai tha se ka pasur fatin të jetë edhe bursist i Televizionit të Prishtinës. ”Mund të theksoj se asnjë orë pune në jetën time nuk e kam diku tjetër përveçse në RTP përkatësisht në RTK. Po të mos punoja si gazetar shpesh e them se nuk di a do të isha gjallë”, shtoi ai.
Ai kujtoi se ngjarjen e parë në RTK e ka pasur në panairin e parë të librit më 26 nëntor të vitit 1999, ku ishte prezent për herë të parë shkrimtari Ismail Kadare.
“Kjo ishte ngjarja ime e parë e madhe. Unë jam përcaktuar për kulturë dhe jam shumë i lumtur sepse konsideroj që çdo gjë e ka bazën aty”, tha Foniqi, duke përmendur edhe ngjarjet e mëdha kulturore që i ka përcjellë gjatë punës në RTK.
Ndërsa Minire Fetahu gazetare dhe redaktore e muzikës në RTK ka thënë se kur ka ardhur në RTK ishte diçka sublime dhe shumë e bukur për të. ”Arrita të kthej punën të cilën ma ndërprenë me dhunë në RTP. Nuk ishte e lehtë sepse në fillim ishte programi shumë i shkurtër një orë sa mbaj mend. Pastaj unë fillova me tre emisione të muzikës ”, ka kujtuar ajo.
Zekë Sinanaj ka thënë se rrugëtimi i tij si gazetar ka filluar prej vitit 1983. Me shpërthimin e luftës ai ka treguar se është angazhuar si reporter i televizionit satelitor të Kosovës në Shqipëri. Ai ka kujtuar se me gazetarin e ndjerë Qani Mehmedi e kishin filluar emisionin “Pro et Kontra” në RTK.
Ndërkaq, Ilir Binakaj ka thënë se është kënaqësi dhe krenari që sot është pjesë e këtij 25 vjetori së bashku me kolegët dhe me gjithë stafin e RTK-së, por edhe me ata që janë të pensionuar.























