`Arkivi` shpalos kujtime të punëtorëve në 25 vjetorin e RTK-së
K. Kasumi / RTKlive
Në emisionin “Arkivi”, është diskutuar për sfidat me të cilat janë përballur punëtorët e RTK-së për 25 vjet. Ish-punëtorët dhe punëtorët që janë duke punuar kanë folur për fillimet e punës në RTK dhe për rrjedhën e angazhimeve të tyre nëpër vite.
Të ftuar ishin Zekë Sinani, gazetar, Lumnie Mikullovci, regjisore dhe realizatore e shumë emisioneve televizive si në TV ashtu edhe RTK, Bujar Babuni, producent, Agron Krasniqi prezantues, Fitore Rexhepi, gazetare, dhe Arben Berisha, gazetar sporti.
Zekë Sinani, gazetari i TVP-së dhe më pas në RTK ka theksuar se pas ngjarjeve të vitit 1981 ia kanë arritur që të mobilizohen për të punuar në frymën e popullit.
“Kërkesave që kërkoheshin atëherë edhe pse ishin rrethana tepër të rënda ishte trysni e madhe nga komitetit nga policia mirëpo me mobilizim të përgjithshëm besoj ia kemi arritur që shikuesve të ju transmetonim gjithë ato që ndodhnin”, ka deklaruar Sinani.
Ai ka thënë se emisioni ‘Pro et Contra’ në RTK ishte i vetmi, i cili trajtonte tema politike në të gjitha fushat dhe një ekip e cili ka dhënë kontribut të madh.
Lumnie Mikullovci, regjisore dhe realizatore e shumë emisioneve televizive si në TV kujtoi vështirësitë e fillimit të punës.
“Atëherë anglezët kanë qenë menaxherë të RTK-së edhe vinin pajisje të vjetra që kanë skaduar. Vinin te ne, por funksionojshin deri-dikun. Vazhdimisht kemi pasur trajnime nga inxhinierë të krejt profileve”, ka theksuar ajo.
Ish-producent i shumë emisioneve të TVP dikur dhe producent i shumë emisioneve dhe lajmeve, Bujar Babuni, ka thënë se Radio Televizioni i Prishtinës e ka dhënë një provim shumë të rëndësishëm.
Agron Krasniqi, producent dhe ideus i shumë projekteve televizive në RTK, theksoi se punësimin në RTK iu ka dukur si në ëndërr e parealizueshme.
“U vendos me u zgjerua skena programore nga dy orë në katër orë u hap një konkurs. Isha në një radio duke punu, radio “Rilindja”. Atëherë menjëherë pas luftës si një djalë i ri ia nisa me punu, kalova nëpër disa trajnime... U hap konkursi në RTK, për neve gazetarët të rinj... Tash me më thënë me u punësuar në BBC nuk besoj ma jep ndjesinë e atëherit të RTK-së, ka qenë absolutisht një ëndërr e parealizueshme”, ka thënë Krasniqi, duke kujtuar punësimin në mediumin publik..
Poashtu gazetarja Fitore Rexhepi, me nostalgji kujton kohën kur ka nisur punën.
“Kam qenë në shkollë të mesme, e pashë një konkurs në RTK Ka qenë emisioni i famshëm “Amazing be njeri”. E pashë konkursin dhe mendova me apliku , e di që ka pas një interesim shumë të madh”, tha Rexhepi.
“Amazing be njeri” ka qenë një prej emisioneve alternative të asaj kohe por që ka trajtuar tema më të rëndësishme të rinisë.
Ndërkaq Arben Berisha, gazetar sporti, për më shumë se dy dekada pjesë e RTK-së tha se sportin gjithmonë e kam pasur pasion, për më shumë se dy dekada pjesë e RTK-së.
“Edhe e kam ndjekur me pasion, as që e kam menduar ndonjëherë se do ta kryeje punën e gazetarit aq më pak të komentatorit sportiv por ishte një shkollë në vetvete RTK-ja”, tha ai.























