Tërstena: Me muzikën i kam thyer të gjitha barrierat
K. Kasumi / RTKlive
Këngëtarja e njohur Selvete Tërstena, e cila vazhdon të jetë aktive në skenën muzikore ka rrëfyer fillimin e karrierës së saj në emisionin “Arkivi” në RTK.
Ajo qysh në moshë të re ka marrë pjesë në kompetecionet e kohës siç ishte “Kosovarja këndon”, teksa këngën e parë e kishte publikuar në vitin 1976.
Selvetja theksoi se Zoti ia dha zërin, por dashuria për muzikën e udhëhoqi në çdo hap të jetës së saj, duke i thyer të gjitha barrierat.
“Për fat të mirë i kam pasur prindërit shumë të mirë. Ata kurrë nuk më kanë ndalur, edhe pse nga rrethi ka pasur paragjykime. Kur njeriu e do këngën çdo gjë e re që bëhet shkon në favor të tij. Për mua pjesëmarrja në festivalin ‘Kosovarja këndon’ ka qenë një dhuratë shumë e madhe”, tha ajo, teksa në prapavijë i shfaqej performanca e saj nga ky festival përmes xhirimeve të RTP-së.
Tutje ajo theksoi se pasionin për muzikën e ka trashëguar nga i ati, i cili ishte një këngëtar folklorik dhe zotëronte disa instrumente tradicionale.
“Prej klasës së pestë kam filluar të këndoj dhe nuk jam ndalur asnjëherë. Babai im ka kënduar këngë folklorike, e ka zotëruar çiftelinë, lahutën, sharkinë e si duket dhe unë e kam marrë këtë pasion prej tij”, tha Tërstena.
Selvetja tha se ka qenë mësuesi i saj i muzikës, Xhevat Korllaku në Vushtrri që kishte zbuluar talentin e saj në klasën e pestë.
Ajo tutje theksoi se frymëzimin e ka gjetur tek këngët shkodrane, të cilat i ka dashur gjithmonë.
“Ato këngë kanë qenë të regjistruara edhe në ‘Radio Prishtinë’, mirëpo e kemi dëgjuar edhe ‘Radio Tiranën’, ‘Radio Kukësin’. I kam dëgjuar këngët e Fitnete Rexhës, Naile Hoxhës dhe këngët shkodrane. I dua shumë dhe më flenë shumë në shpirt”, tha ajo.
Një moment të veçantë në karrierën e saj ishte vlerësimi nga kompozitori dhe etnomuzikolog i njohur shqiptar, Lorenc Antoni.
“Kam qenë në korin e grupit të shkollës fillore. Lorenc Antoni i madh, tanimë i ndjerë, kur ka shkuar të mbajë mbledhjen e artistëve të rinj, kam pasur fatin që ai të vijë në publik. Kur është mbajtur për herë të parë koncerti në Vushtrri, unë e kam pasur një pjesë stolistike në kuadër të korit dhe aty atij i ka pëlqyer zëri im”, kujtoi ajo atë kohë.
Për më shumë ndiqeni emisionin e plotë “Arkivi”:























