Arkeologët francezë: Shqiptarët e Kosovës janë dardanët e lashtë
K. K. / RTKlive
Në emisionin “Voyage”, që u shfaq në RTK me temën “Ulpiana antike – lidhja dardano-shqiptare”, mysafirë të ftuar ishin Christophe Goddard, drejtor i Institutit Arkeologjik të Parisit (arkeolog), Milot Berisha, u. d. drejtor i Institutit Arkeologjik të Kosovës (arkeolog) dhe Arben Hajdari, arkeolog.
Shqiptarët e Kosovës janë dardanët e lashtë, thanë studiuesit e huaj, më saktësisht arkeologët francezë.
Christophe Goddard, drejtor i Institutit Arkeologjik të Parisit (arkeolog) tha se "natyrisht që ju jeni jeni pasardhës të dardanëve, por dhe tërë Evropa, të gjithë kemi marrë elemente nga kultura të ndryshme dhe janë asimiluar”.
“Për Ulpianën mund të flasim për një histori të jetesës për të paktën 800 vjet jetë dhe është, mbase, i vetmi lokalitet arkeologjik që mund ta bëjmë një gjë të tillë ta kuptojmë jetesën në këtë shtrirje kohore”, shtoi ai.
Më tutje, i pyetur a mund të themi që ky është qytet dardan dhe se aty kanë jetuar dardanët, ai tha: “Përgjigjja ime e parë është po”.
Milot Berisha, u. d. drejtor i Institutit Arkeologjik të Kosovës (arkeolog), tha se “vazhdimësia dardane, që e dimë edhe nga autorët antikë, të cilët, fatkeqësisht, shumë vonë e kanë përmendur faktorin dardan, flasin për një mbretëri dardane që në shekullin e katërt para erës sonë, mirëpo kjo s’do të thotë që nuk ka pasur më herët”. “Pra kemi të dhëna historiografike, e kemi kulturën materiale dhe arkeologjike”, shtoi Berisha.
Arben Hajdari, arkeolog, theksoi se vendbanimet dardane në Ulpianë kanë qenë vend shumë i madh.
“Sa i përket Ulpianës, është me rëndësi të themi se sa iu përket gërmimeve arkeologjike bërë vitet e fundit, edhe në vitet ’50 kur kanë filluar gërmimet në Ulpianë, janë dëshmuar shtresa të periudhës së vonë bronzit dhe hekurit, por që do të thotë që përputhen me krijimin e etnosit dardan”, tha Hajdari.
Më tutje, ai tha sa ajo që mund ta zbardhim përmes këtyre shtrirjeve ose që ne mund ta zbardhim përmes dëshmive arkeologjike është se shtrirja e këtyre gjetjeve është shumë e madhe, pra në shumë hektarë hapësirë, e kjo i bie që vendbanimi dardan në Ulpianë ka qenë vend shumë i madh dhe atë që s’e dimë është se sa saktë është shtrirë.
Për më shumë ndiqeni videon e plotë të emisionit “Voyage”.























