Nesër premiera e shfaqjes “Të gjashtët kundër Turqisë”
Sh. Gashi|rtklive
Në Teatrin Oda, jepet premiera e shfaqjes teatrore e Qendrës Multimedia, ‘Të gjashtët kundër Turqisë”, e që do të prezantohet më 16 tetor. Reprizat e kësaj shfaqje janë me 17 dhe 18 tetor, po në teatrin “Oda” në Prishtinë.
Drama është shkruar nga Jeton Neziraj, regjinë e ka bërë Blerta Neziraj, kurse luajnë: Adrian Morina, Ernest Malazogu, Shpetim Selmani, Verona Koxha, Albina Krasniqi dhe Don Shala.
Shfaqja është krijuar nga një kolektiv ndërkombëtar teatror me artistë/e nga Kosova, Turqia dhe vende të tjera të BE-së.
"Ajo eksploron degradimin e demokracisë dhe ngritjen e regjimeve populiste-nacionaliste dhe autoritarizmit në Evropë", thuhet në njoftim.
“Të gjashtët kundër Turqisë” shtron pyetje kohërisht relevante në lidhje me shtrirjen e regjimeve shtypëse edhe përtej kufinjve. Kjo nuk është një shfaqje për njerëzit e thjeshtë që i kundërvihen një qeverie a një shteti, por është shfaqje për qeveritë a shtetet autoritare që duke ndjellur terror, dhunë, përndjekje e luftë, i çojnë në shkatërrim njerëzit e vet", theksohet në njoftim.
























