Von der Leyen javën e ardhshme do ta vizitojë Kosovën
BKT
Lajme

Von der Leyen javën e ardhshme do ta vizitojë Kosovën

Gjeraqina Tuhina | Bruksel | RTK

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen do të vizitojë Kosovën të shtunën më 26 tetor.

Gjatë vizitës në Prishtinë, sipas agjendës ajo do të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe kryeministrin, Albin Kurti.

Vizita në Kosovë do të jetë në kuadër të turneut të Ballkanit të cilin Von der Leyen do ta  zhvillojë gjatë javës së ardhshme.

“Është kjo një vizitë e përgjithshme në Ballkanin Perëndimor. Vjen në kontekstin e rëndësishëm të zgjerimit. Është një udhëtim që presidentja e ka pasur edhe viteve të mëparshme. Dhe sigurisht, fokusi lidhet kryesisht me procesin e zgjerimit, Planin e Rritjes, çështje këto që janë tejet të rëndësishme për partnerët në Ballkanin Perëndimor”, tha Ariana Podesta, zëdhënëse e KE-së.

Von der Leyen do të nisë turneun të mërkurën më 23 tetor ku fillimisht do të vizitojë Shqipërinë.

Në periudhën mes 23 dhe 26 tetorit, ajo do të vizitojë edhe Maqedoninë e Veriut, Bosnjën e Hercegovinën, Serbinë, Kosovën, ndërsa turneun do ta përmbyllë me vizitën në Malin e Zi.

Mes tjerash, Von der Leyen do të promovojë Planin e Rritjes – pakon në shumë prej 6 miliardë eurosh.

Kosova nga kjo pako do të përfitojë rreth 880 milionë euro. Një pjesë do të merret në formë të parave pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formë të kredive të volitshme.


MË SHUME NGA Lajme