Rohde: Procesi i Berlinit kyç për integrimin e Kosovës në BE
V.S|RTKlive
Dekada e Procesit të Berlinit u diskutua sot në një tryezë në Prishtinë, aty ku i pranishëm ishte edhe ambasadori gjerman, Jorn Rohde ku u diskutua mbi arritjet, mundësitë e rrugën përpara në këtë proces.
I dërguari i Gjermanisë në Kosovë foli për një dekadë pune në këtë proces që synon afrimin e Ballkanit Perëndimor me BE-në.
Rohde tha se Procesi i Berlinit mbetet kyç për integrimin e Kosovës në BE përmes bashkëpunimit rajonal.
Sipas tij, mbesin edhe shumë mundësi të tjera për t’u zhbllokuar, e indikatorët, siç tha ai, tregojnë se ende nuk janë plotësuar të gjitha pritjet.
“Duke shikuar në 10 vitet e Procesit të Berlinit është arritur shumë, por shumë mundësi mbeten për t’u zhbllokuar. Jo të gjithë treguesit i kanë përmbushur ende pritjet", tha ai.
Rohde sërish përshëndeti vendimin e kryeministrit Albin Kurti, për heqjen e njëanshme të vizave për shtetasit nga Bosnja e Hercegovina, vendim ky i cili do të fuqizohet nga janari i vitit që vjen e që u bë publik pikërisht në ditën e samitit në Berlin kur u shënua edhe viti jubilar i tij.























