KPK dhe ZKPSH i reagojnë Mujajt: Deklaratë e pastër politike
M.P. / RTKlive
Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit nëpërmjet një reagimi kanë dënuar deklaratat në rrjete sociale të deputetit të Kuvendit të Kosovës, Armend Muja, ndaj kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.
Këto dy institucione kanë vlerësuar se deklarata e deputetit Muja nuk i shërbejnë drejtësisë, teksa i kanë cilësuar si dëmtuese për rastet hetimore në procedurë.
“Deklaratat e sotme të deputetit Muja kanë përmbajtje të pastër politike dhe vijnë e renditen në sinkron me deklaratat e Qeverisë dhe nga radhët e deputetëve të subjektit shumicë në Kuvendin e Kosovës, që, faktikisht, duhet të jenë gardianë të së drejtës dhe sundimit të ligjit në vendin tonë dhe jo të ndërhyjnë orë e çast, duke mos zgjedhur mjete dhe metoda për të njollosur dhe sulmuar prokurorë, kryeprokurorë dhe prokuroritë e vendit”, thuhet në komunikatën e përbashkët për media.
Muja në llogarinë e tij në facebook ka shkruar rreth rastit të amendamentit për lirimin e energjisë elektrike për Ferronikelin , duke shtruar pyetje nëse prokurori Isufaj e ka hetuar rastin.
“Saimir Mane njëfarë vakti edhe në Kosovë ka bë ligje kur ka qenë Qeveria Hoti. Me propozim të Grupit Parlamentar të AAK-së, në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike ishte shtu një amandament për një nen që parashihte lirim të energjisë elektrike për Ferronikelin, i cili atë kohë ishte në pronësi të Saimir Manes dhe të pezullohen pagesat e rentës minerare. Komisioni i Minierave (KPMM) nuk e kishte ngarkuar asnjëherë Ferronikelin me rentë minerare siç parashihte ligji. A e ka hetu ndonjëherë Prokuroria këtë pazar? Apo ndoshta Dauti nuk i ka thënë Blerim Isufajt me e hetu këtë rast”, ka shkruar Muja.























