‘Post Festivali’ konfronton për muzikën, skenën e veshjet e natës së parë
M.P. / RTKlive
“Post Festivali” duke bërë bashkë në një vend emra të shquar të fushës muzikore, skenike e publicistike, përballi opinione të ndryshme për natën e parë të edicionit të dytë të Festivalit të Këngës në RTK.
“Unë kisha nevojë të shoh një performancë më masovike. Më dukej që imagjinatën dhe kreativitetin e tyre s’e kanë lëshuar deri në fund, mendoj që nuk i kanë shfrytëzuar të gjitha mundësitë që i kanë”, tha aktorja Rebeka Qena lidhur me performancën e 16 garuesve.
Ky mendim u përkrah edhe nga Jeta Dida-Bujari, pianiste dhe drejtoreshë e shkollës së muzikës, e cila tha se performancat kanë mundur të jenë më atraktive. Ndërkaq në aspektin skenik, dramaturgu Naser Shatrolli tha se kanë munguar koreografitë.
“Këngëtarëve i ka munguar pjesa koreografike, kjo ndërlidhet me aspektin regjisorial por duhet thënë se kjo e ka koston e vet. Është e mundur që edhe artistët nuk e kanë atë luks që të plotësojnë standardin e një kënge apo një mediumi të madh siç është kjo skenë”, ka thënë ai.
Profesori universitar, Kushtrim Jakupi, tha se në festivale përgjithësisht kërkohet gërshetim të gjeneratave dhe zërave. Ai konkludoi se kjo u gjet në “Fest 2”, teksa shtoi se kishte zëra të fuqishëm dhe të përgatitur teknikisht.
“Festivali jo rastësisht filloi me fjalën. Kur ndërthuren me këngë është e gjithë potenca e krijimtarisë. Vura re që kishte tekste të shkrimtarëve të njohur si Kadare, por kishte tekste e tema moderne. Sigurisht dashuria mbizotëron sepse është ndjenja më universale”, tha gazetari Nazim Rashiti.
Ndërkaq në aspektin kostumografik të artistëve, disenjatorja Labentinë Shala, tha se ka vend për përmirësim.
“Shumica e performuesve kanë qëndruar në pozita të sigurta dhe një patern të çuditshme që e pashë ishte tek performuesit burra, pati shumë veshje që ishin më shumë të përditshme ‘street style’. Ishte një mundësi e humbur për ta shfrytëzuar këtë skenë madhështore, që ndoshta i jepet një herë në jetë në një festival të tillë edhe mos me qenë në një linjë me mesazhin që kanë dashur ta përçojnë përmes tekstit e muzikës. Animacionet në prapavijë ishin shumë të fuqishme, por te veshjet në përgjithësi pati ngecje”, tha ajo.























