`Made of Us`-Udhëtimi rrugor BE-Ballkani Perëndimor po fillon përsëri
M.M. /RTKlive
Programi WeBalkans (webalkans.eu) po fillon edicionin e dytë të fushatës ‘Made of Us’, e cila do të zhvillohet nga 23-31 tetor 2024.
Kjo iniciativë dinamike do të marrë 12 influencerë nga vendet e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor në një udhëtim të jashtëzakonshëm në 6 shtete anëtare të BE- së.
Në një njoftim për medie bëhet e ditur se pas edicionit të mëparshëm të udhëtimit rrugor që u mbajt në Ballkanin Perëndimor, fushata e këtij viti do të çojë audiencën në vendet anëtare të BE-së, që u bashkuan si pjesë e raundit të fundit të zgjerimeve të BE-së për t’iu shfaqur përfitimet e dukshme që u ka sjellë anëtarësimi në BE.
“Pas udhëtimit përmes syve dhe storjeve të influencerëve, shikuesit do të mësojnë se si të rinjtë e sotëm mund të frymëzojmë transformime të ngjashme në Ballkanin Perëndimor. Përmes përmbajtjeve të tyre, influencerët do të kërkojnë të thellojnë mirëkuptimin dhe entuziazmin për Bashkimin Evropian në mesin e të rinjve dhe qytetarëve nga Ballkani Perëndimor, të frymëzuar nga avancimi i fundit në integrimet evropiane dhe Plani transformues i rritjes i BE-së”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, 'Mundësitë janë të krijuara nga ne’ (Opportunities Are Made of Us) është një nga motot e fushatës, duke theksuar përfitimet nga anëtarësimi në BE dhe duke eksploruar motivimin dhe entuziazmin për të nxitur iniciativa të ngjashme dhe reforma në Ballkanin Perëndimor.
Tutje bëhet e ditur se ‘Influencerët’, të ndarë në dy grupe – ‘Të kaltër’ dhe ‘Të verdhë’, gjatë aventurës, do të përpiqen të tregojnë se si anëtarësimi në BE ka katalizuar progresin dhe ka formësuar narrativat evropiane. Në ekipin e ‘Të kaltërve’ është kosovarja Agnesa Sejdiu.
Në ngjarjen fillestare në Bruksel, influencerët u mirëpritën nga Valentina Superti, drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor, Komisioni Evropian - Drejtoria e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit (DG NEAR): “Me Planin e Rritjes të BE-së, ne po shohim mundësi të hapura gjithkund. Nuk ka të bëjë vetëm për politikë – ka të bëjë me mundësi reale ekonomike digjitale dhe arsimore që po transformojnë Ballkanin Perëndimor.”























