Kurti dhe Al-Rabiah diskutuan për mundësinë e investimeve të reja
V.Thaçi / RTKlive
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti sot në takim ministrin e Haxhit dhe Umres së Arabisë Saudite, Tawfig Al-Rabiah.
Teksa i uroi mirëseardhje, kryeministri ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dypalësh si dhe ka shprehur mirënjohje për marrëdhëniet e mira dhe në rritje ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Arabisë Saudite. Këtë vit shënojmë 15-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, njofton Kryeministria.
Sipas njoftimit gjatë takimit kryeministri po ashtu theksoi edhe rritjen dhe zhvillimin ekonomik që Kosova ka arritur gjatë viteve të fundit.
"Së bashku diskutuan për mundësi e investime të reja që do të forconin këtë trend pozitiv, dhe në të njëjtën kohë do të kontribuonin në forcimin e mëtejshëm të lidhjeve miqësore mes dy vendeve", thuhet në njoftim.
Kryeministri gjithashtu falënderoi ministrin Al-Rabiah për mbështetjen e vazhdueshme të Arabisë Saudite ndaj pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës. Këtu ai veçoi përkrahjen e rezolutave të miratuara nga Organizata për Bashkëpunim Islamik (OIC) që u bëjnë thirrje shteteve anëtare që nuk e kanë njohur ende Kosovën ta njohin atë.
Në këtë takim, krahas zëvendësministrit të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, i pranishëm ishte edhe Myftiu i Kosovës, Naim Tërrnava dhe përfaqësues të Bashkësisë Islame në Kosovës.
























