Biblioteka e re e Obiliqit, qendër e dijes dhe kulturës
BKT
Kulturë

Biblioteka e re e Obiliqit, qendër e dijes dhe kulturës

Sh. Gashi|RTKlive

Biblioteka e qytetit të Obiliqit , e cila është më e reja në nivel vendi, po dëshmon një rëndësi të jashtëzakonshme për komunitetin e saj. Ajo është bërë qendër e dijes dhe kulturës për qytetarët e të gjitha moshave, duke i tërhequr në mënyrë të veçantë studentët, të cilët e shfrytëzojnë për studime, hulumtime dhe aktivitete akademike.

Falë hapësirave të rehatshme dhe koleksionit të larmishëm të librave, biblioteka ka krijuar një ambient ideal për nxënësit dhe studentët që kërkojnë përkrahje në rrugëtimin e tyre arsimor.

“Kjo bibliotekë pasuron jetën kulturore në Obiliq, përveç  titujve të rinj që ofron, krahas sajë  organizon edhe aktivitete të tjera kulturore letrare. Kjo bibliotekë e ka  një numër të madh lexuesish dhe i plotëson nevojat e tyre”, tha Rifadije Paloja

Përveç shërbimit të huazimit të librave biblioteka e Obiliqit është edhe qendër për organizmin e aktiviteteve kulturore dhe edukative të komunës. Nga leximet publike, prezantimet e autorëve, seminaret për zhvillimin personal, deri te orët e diskutimeve letrare dhe klubet e leximit, kjo bibliotekë është kthyer në një hapësirë ku bashkëjetojnë kultura, edukimi dhe socializimi.

“Institucioni ka hapësira të bollshme është dy katë dhe ka edhe ulëse komode për lexuesit ne jemi munduar që krahas literaturës që e ofrojmë të ju ofrojmë edhe komoditet lexuesve tonë”, tha Paloja

Megjithatë, biblioteka ka ende nevojë për pasurimin e mëtejshëm të koleksionit të saj me tituj të rinj, të cilët do të përmbushnin më mirë nevojat e lexuesve të saj. Kjo përpjekje është përkrahur edhe nga dhurata të çmuara të librave nga emra të njohur të komunës së Obiliqit të cilët kanë kontribuar në rritjen dhe zgjerimin e ofertës së librave. Kjo është një dëshmi e solidaritetit dhe e përkushtimit të komunitetit për të mbështetur dijen dhe zhvillimin kulturor.

Biblioteka tashmë edhe përkundër sfidave është shndërruar në një qendër të rëndësishme studimi dhe zhvillimi kulturor për të gjitha moshat.


MË SHUME NGA Kulturë