Sot nis festivali i poezisë `Takimi i poeteshave shqiptare`
BKT
Kulturë

Sot nis festivali i poezisë `Takimi i poeteshave shqiptare`

K. K. / RTKlive

Sot nis festivali i poezisë “Takimi i poeteshave shqiptare”, i vetmi takim i poeteshave mbarëshqiptare që mbahet në Vushtrri, me ç’rast do të marrin pjesë poete nga Shqipëria, Çamëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Presheva.Izet Miftari, drejtor për Kulturë, Rini dhe Sport në komunën e Vushtrrisë, theksoi se sivjet festivali mbahet për herë të 42-të me një traditë 45-vjeçare.

Ai në “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK tha se janë zgjedhur 21 poete nga ato ata që kanë aplikuar.

“Poetët aplikojnë në thirrje publike. Kohë më parë është e hapur thirrja, jurinë e kemi zgjedhur, një juri profesionale, me dy doktorë të shkencave në letërsisë dhe një profesor të gjuhës që është në Vushtrri. Prej dhjetëra poezive që kanë aplikuar, janë përzgjedhur 21 poete”, pohoi ai.

“Sivjet festivalin do ta hapim me një pikë të baletit të Kosovës për arsye se poezia dhe baleti kanë një lidhshmëri shpirtërore, pastaj vazjdojmë me poezitë, me pikat që ndërlidhen me letërsinë, me artin derisa juria t’i shpallë tri çmimet. Çmimi i parë ka vlerë 500 euro, i dyti 300 euro dhe i treti 200. Po ashtu, jepet çmimi debutantja, që ka vlerë 100 euro, për poeten më të re dhe që merr pjesë për herë të parë”, tregoi Miftari.

Ndërkaq Minavere Maka, poete, e cila për herë të dytë merr pjesë në këtë festival, tha se “kam konkurruar krejt rastësisht, duke menduar se ndoshta poezia ime nuk ka ka arritur të marrë pjesë në një festival aq të bukur siç është ky festivali i Vushtrrisë”.

“Në vitin 2022 konkurrova për herë të parë me poezinë ‘Sytë’. Vërtet ishin sytë e mi ata që panë një refleksion shumë të bukur, shumë domethënës, shumë intrigant për ta arritur masivizimin dhe gërshetimin e të gjitha poeteve shqiptare”, tha ajo.

Tutje ajo shtoi se meqë është takimi i vetëm i poeteshave, kjo ka ndikuar në pjesëmarrjen e krijueseve letrare, në arritjen e vlerave të artit të poezisë.

Po sipas saj, çmimi nuk është qëllimi i saj, por pjesëmarrja.


MË SHUME NGA Kulturë