‘Voyage’, emision për ish-programin dyorësh të RTSh-së
K. K. /RTKlive
Në emisionin “Voyage”, që u shfaq në RTK me temën “Radiotelevizioni shqiptar, Kosova”, më saktësisht vitet ’90, i cili program dyorësh i ishte dedikuar Kosovës, u theksua se ai ka pasur ndikim të jashtëzakonshëm në atë periudhë të errët që Kosova jetonte nën shtetin policor të Sllobodan Millosheviq.
Mysafirë të ftuar në studio ishin Esat Brajshori, ish-regjisor në TVSh dhe Gani Mehmetaj, gazetar, shkrimtar, kurse në linjë të drejtpërdrejtë nga Gjermania ishte Asllan Bajrami, ish-gazetar në TVSh.
Esat Brajshori, ish-regjisor në TVSh, i cili ka punuar në programin dyorësh të televizionit shqiptar, theksoi se “ai program atëkohë ka qenë një aset i rëndësishëm i pasqyrimit të jetës së shqiptarëve në Kosovë, ka qenë një lloj institucioni medial të cilin e kanë parë sytë dhe dëgjuar veshët e gjithë shqiptarëve kudo që kanë jetuar”.
Brajshori me emocione e kujton kronikën për lindjen e pesënjakëve nga një grua e Vushtrrisë, të cilën kronikë e ka transmetuar TVSh-ja në vitin 1996. Po ashtu, ai tregoi se nënat e atyre viteve çdo lindje që e kanë pasur në njëfarë mënyre ia kanë dedikuar shtimit të popullit tonë.
Kurse Asllan Bajrami theksoi se kronika për pesënjakët, dhe mesazhi për kohën kur është transmetuar kronika, ka qenë më se i qartë: liria po lindte, por edhe Kosova po lindte bijë dhe bija. “
Kronika ishte domethënëse për kohën. Sikur Zoti e kishte porositur atë nënë t’i lindte pesë fëmijë. Në një mënyrë e paralajmëronte atë që do të arrihej liria”, tha ai.
Ndërkaq Gani Mehmetaj, gazetar, shkrimtar, theksoi se ne në atë kohë kishin raportime për vrasjet, dhunën, terrorin, tmerrin që ushtrohej mbi shqiptarët e Kosovës nga policia dhe ushtria serbe.
5 marsin e vitit ’98, ditën kur ushtria dhe policia serbe kishte sulmuar Jasharët, Asllan Bajrami, ish-gazetar në TVSh, e kujton mirë.
Ai theksoi se “ne kishim informacione çdo ditë, transmetonim edhe jashtë atyre dy orëve të programit satelitor”.
“Përveç Mehmet Hazirit, ne lidheshim për të prezantuar çfarë ndodhte në Prekaz. Rënia e Adem Jasharit ka pasur jehonë të jashtëzakonshme në popull. Rënia e tij ka nxitur dhe mobilizuar njerëzit që t’i kapin armët dhe t’i bashkohen UÇK-së”, tha Bajrami.
Mehmetaj tha se atëkohë ka qenë në Kosovë dhe ka bashkëpunuar me korrespodentët e TVSh-së. “Kam raportuar për radiostacion të huaj. Ka qenë një mobilizim i përgjithshëm. Korrespodentët e TVSh-së dhe të tjerët kanë pasur vështirësi në terren, sepse persekutoheshin, e rrezikonin jetën dhe e kishin të vështirë”, tha ai.
Ndërkaq Bajrami tha se në studio ka pasur biseda me veprimtarin Adem Demaçi, presidentin Ibrahim Rugova dhe kryeministrin e atëhershëm Bujar Bukoshi, por edhe me shumë personalitete dhe figura të tjera me të cilët trajtonte probleme nga politika, por më tepër përqendroheshin për ngjarjet në Kosovë, te represioni dhe dhuna.
Më tutje, ai tha se shpreh mirënjohje dhe nderim për kolegët që nuk janë më dhe që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm siç ka qenë Qani Mehmedi, Mehmet Haziri, Shaban Arifaj, Sylejman Gashi, Fetnete Ramosaj.
Po ashtu, ai tha se “reporterët tanë kanë arritur t’i pasqyrojnë para audiencës së gjerë kombëtare dhe ndërkombëtare emisionet e lajmeve dhe kronikat të cilat janë marrë edhe si pikë reference nga agjencitë më prestigjioze botërore si Reuters, CNN, BBC, por edhe nga kanalet e tjera.
Brajshori rrëfeu edhe për raportimin e refugjatëve. Ai tha se janë munduar të paraqesin sa është numri i hyrjeve. “U pata takuar me një grup studentësh të mjekësisë nga Kosova në Shqipëri. Bashkë me ta kemi bërë punë kolosale. Vinin njerëz si gjysmë të vdekur, të plagosur, shumë nëna që kishin vuajtur gjatë rrugëtimit dhe ata i ndihmonin”, tregoi ai, dhe shtoi se në ekran kanë vënë edhe titrat me të dhënat e tyre personale, numrin e telefonit për personat që kërkoheshin.























