Sekuestrohen 632 gramë marihuanë, arrestohet i dyshuari
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person pasi dyshohet se ka bërë shitblerjen e narkotikëve në Gjilan.
Policia ka bërë të ditur se gjatë kontrollit të shtëpisë së tij dhe objekteve përcjellëse të të dyshuarit në cilësi të provave ka gjetur dhe sekuestruar rreth 632 gramë substancë narkotike e llojit marihuanë.
“Policia e Kosovës, në vazhdën e luftimit të veprave penale dhe dukurive të tjera negative, pas një pune hetimore dhe operative në terren, me datën 07.11.2024 në Gjilan, pas sigurimit të dëshmive dhe urdhëresës për bastisje, ka realizuar një kontroll/bastisje në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit mashkull kosovar, i cili dyshohet se ka bërë shitblerjen e substancave narkotike në qytetin e Gjilanit”, thuhet në njoftim.
Në konsultim me prokurorin e shtetit nga prokuroria kompetente, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë.
Ndërsa u bë e ditur se rasti i është cilësuar si ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, i sanksionuar sipas nenit 267 të KPRK-së, procedohet tutje për procedurat e mëtejme.























