`Arkivi`, emision të veçantë për Viktor Eftimiun
BKT
Kulturë

`Arkivi`, emision të veçantë për Viktor Eftimiun

K. Kasumi / RTKlive

Emisioni “Arkivi”, i Radio Televizionit të Kosovës (RTK-së), mbrëmë ka transmetuar një emision të veçantë për një ndër figurat e rëndësishme të kulturës shqiptare, për poetin dhe dramaturgun rumun me prejardhje shqiptare, Viktor Eftimiun, i cili, sa ishte gjallë, ka shkruar mbi 60 mijë vargje, shumë romane dhe drama.

Eftimiu ka lindur në Boboshticë të Korçës më 24 janar 1889, kurse ka ndërruar jetë në Bukuresht më 27 nëntor të vitit 1972. Ka shkruar dhe botuar në gjuhën rumune. Veprat dramatike i ka vënë në skenën e Teatrit të Bukureshtit. Disa prej tyre, pas përkthimit në gjuhën shqipe, janë vënë në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë.

Për të folur për veprimtarinë e tij letrare dhe dramaturgjike, të ftuar në emisionin “Arkivi” të RTK-së ishin Nehat Islami, ish-gazetar i Televizionit të Prishtinës, i cili, në muajt e fundit të jetës së Eftimiut, pati shkuar në Rumani dhe realizuar një intervistë me të në vitin 1971.

Emisioni “Arkivi” e ka digjitalizuar atë dhe e ka shfaqur për publikun mbrëmë. Materiali arkivor është realizuar në shtëpinë e Eftimiut më shumë se 52 vjet më parë.

Ish-gazetar i Televizionit të Prishtinës, Nehat Islami, e kujtoi kohën kur pati shkuar në Rumani dhe pati realizuar intervistën me Eftimiun.

“Isha gazetar i ri. Punoja në redaksinë televizive të Kosovës. Redaktoja emisionin ‘Shkëndija’. Shkuam në Rumani së bashku me regjisorin Ekrem Kryeziu. Pos temave të tjera, e takimeve me shqiptarë të tjerë të asaj kolonie, patëm rastin ta bëjmë një reportazh me Viktor Eftimiun. Qëndruam tri ditë gjatë përgatitjes së atij emisioni”, kujtoi atë kohë Islami.

Ai evokoi kujtime gjatë takimit edhe me mbesat e Asdrenit, me botues të veprave të Asdrenit, me botues të librave në gjuhën shqipe.

“Eftimiu ka qenë zemra e shqiptarëve të Rumanisë. Pas rilindësit tanë Vaso Pashës dhe të tjerëve, të cilët i vunë themelet e librit, gazetave dhe botimeve të tjera në gjuhën shqipe, aty janë botuar edhe veprat e para të Naim Frashërit, sepse nuk mund t’i botonte në gjuhën shqipe. Shumë patriotë tanë atëkohë erdhën nga Egjipti në Bukuresht sepse aty kishin kushte për veprimtari më të mirë, se tjetërkund pengoheshin”, tha ai.

I ftuar tjetër i emisionit “Arkivi” ishte edhe Kurtesh Devaja, ish-gazetar i Televizionit të Prishtinës,  publicist, i cili ka realizuar një cikël dokumentarësh për shqiptarët e Rumanisë.

“Kam realizuar një cikël dokumentarësh prej tetë vazhdimesh në Radio Televizionin e Kosovës në vitin 2009. Me ekipin e RTK-së kemi shkuar në Bukuresht, prej Bukureshti në Konstancë. Aty ka qenë një numër  i madh i shqiptarëve, sepse Bukureshti ka qenë çerdhe e atdhetarëve shqiptarë në atë kohë në Rumani. Kemi vizituar varrin e Eftimiut, shtëpinë  e tij; kemi biseduar me bashkëkombësit e tij shqiptarë në Rumani, por edhe me rumunë të cilët na thoshin që Eftimiu ka qenë një ndër adhuruesit e shumtë të komedive teatrove dhe ka shkruar shumë në atë kohë”, bëri me dije Devaja.

Ndërkaq Nehat Islami kujton një takim interesant të Eftimiut me Moisiun dhe një bisedë me të.

“Ai më tha: unë e kam shikuar shpesh në skenat evropiane Aleksandër Moisiun, por nuk kam ditur që është shqiptar. Kur e burgosën francezët, atëherë mora vesh që ka prejardhje shqiptare, prandaj morëm disa aksione për ta këmbyer me një gjeneral francez. Ai u lirua. Vizitën e parë me trupën e tij Moisiu e ka bërë në Bukuresht. Dhe në atë kohë, siç tregonte Eftimiu, ‘mblodha mjete materiale, asaj trupe i bleva gardërobë'. E kur jemi njoftuar, kur i kam treguar që unë jam nga Boboshtica dhe ai nga Durrësi, çdo barrierë mes nesh ka përfunduar dhe kemi vazhduar të shoqërohemi e të duhemi më tepër edhe si artist edhe si shqiptarë’”, tha Islami.


MË SHUME NGA Kulturë