Këshilli Prokurorial e Zyra e Kryeprokurorit i reagojnë Sallahut
V.S|RTKlive
Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit kanë reaguar ndaj zëvendësministrit të Drejtësisë Blerim Sallahu.
Numri dy i Ministrisë së Drejtësisë gjatë ditës kishte shpërndarë një status nga rrjeti social Facebook të një tjetër personi që e quante Prokurorinë Speciale si organizatë kriminale.
Ndaj kësaj ka reaguar ashpër Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, dhe Këshilli Prokurorial që thanë se deklarimet e tilla krijojnë pasiguri për prokurorët dhe familjet e tyre, sepse kanë përmbajtje nxitëse, tendencioze, propaganduese dhe linçuese ndaj kësaj prokurorie dhe prokurorëve të saj.
“KPK dhe ZKPSH, deklarojnë se në vend që Zëvendësministri Sallahu të angazhohet dhe të ketë përkushtim maksimal, vullnet dhe iniciativa të shtuara për ngritjen e kapaciteteve, përmes rritjes së buxhetit të sistemit prokurorial për vitin 2025, i njëjti vihet në ballë të sulmeve sistematike ndaj prokurorive, prokurorëve dhe tërë sistemin prokurorial, duke harruar detyrën dhe përgjegjësitë e tij për t’u marrë me çështjet e avancimit dhe të fuqizimit të kapaciteteve përmes ndarjes buxhetore, që do t’i plotësonin nevojat e domosdoshme për kryerjen e punëve, mungesa e të cilit krijon barriera dhe paraqet vështirësi të mëdha në realizmin e përgjegjësive institucionale”, thuhet tutje në reagim.
Këto dy institucione thonë se nuk do të ndalen asnjëherë para linçimit publik sic e quajtën ata të eksponentëve politikë, që sipas tyre kanë vënë në shënjestër Prokurorinë Speciale.
Kanë nënvizuar se puna, përgjegjësia, kompetenca dhe misioni i prokurorive dhe i prokurorëve të shtetit nuk janë çështje e vullnetit të individëve të caktuar dhe thonë se do të mbesin përherë jashtë çdo agjende të politikës ditore.
“Dhe nuk do të tolerojmë realizimin e qëllimeve të sojit të z.Sallahu, ngaqë Prokurori i Shtetit përditë e më tepër po intensifikon angazhimet konkrete për ndriçimin e të gjitha rasteve, përfshirë edhe rastet ndaj zyrtarëve të dyshuar që janë në pushtet, duke mos u shmangur assesi nga misioni dhe pavarësia e sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e këtyre dy institucioneve.























