Kurti: Më shumë investim në ushtri, më shumë siguri për qytetarët
G.K/RTKlive
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ushtrimi ushtarak "Ujku i Çeliktë" është ushtrimi më i madh dhe më i sofistikuar i realizuar ndonjëherë nga Forcat e Sigurisë së Kosovës, me pjesëmarrjen e mbi 1000 ushtarakëve.
Një element i rëndësishëm i këtij ushtrimi sipas Kurtit, është përdorimi i pajisjeve dhe armatimit modern, të cilat janë blerë dhe integruar në flotë në këto vitet e fundit.
Në një postim në Faceboo, ai ka thënë se këto pajisje dhe ky armatim i blerë sipas standardeve të NATO-s, janë produkt i një strategjie të detajuar të investimeve në fushën e mbrojtjes.
"Buxhetin për ushtrinë e kemi trefishuar, numrin e ushtarëve e kemi dyfishuar, trajnimet e ushtarakëve tanë jashtë vendit i kemi katërfishuar. Rritja e dukshme e buxhetit dhe investimi në përgatitje të personelit ushtarak është e shoqëruar me shumëfishim të investimeve në armatim.
Më shumë investim në ushtri, do të thotë më shumë siguri për të gjithë qytetarët. E me përkushtimin, përgatitjen dhe gatishmërinë e ushtarëve e oficerëve tanë, që janë frymëzim për të gjithë ne, jemi të bindur se e ardhmja e Kosovës është në duar të sigurta", ka shkruar Kurti.























