Gërvalla takon sekretarin e ‘Çmimit të Japonisë’, flasin për bashkëpunim
M.P. / RTKlive
Në vazhdim të trajnimit “Roli i mediave në shtetet demokratike”, që po mbahet në Tokio të Japonisë, ku pjesëmarrës është edhe drejtori i televizionit të Kosovës, Rilind Gërvalla, u diskutua gjithashtu për pjesëmarrjen e RTK-së në garën ndërkombëtare “Japan Prize”.
Gjatë një takimi që pati sot drejtori Gërvalla me sekretarin e përgjithshëm të Japan Prize, Nishigaya Rikiya, u trajtua mundësia e pjesëmarrjes së Kosovës në këtë çmim prestigjioz ndërkombëtar.
“Diskutuam për bashkëpunimin dhe aplikimin e vazhdueshëm që do të bëjë RTK. Gjithashtu diskutuam për nismën e Radio Televizionit të Kosovës që të ftojë artistët kosovarë që të aplikojnë në të ardhmen në këtë çmim prestigjioz japonez”, ka thënë Gërvalla.
Gërvalla njoftoi sekretarin general Nishigaya se jo vetëm stafi i RTK-së, por gjithashtu të gjithë të interesuarit nga shteti i Kosovës do të inkurajohen të jenë garues në këtë çmim ndërkombëtar, ku trajtohen tema sociale, ekonomike dhe kulturore, dhe për të cilat ndahen një shumë prej 50 mijë euro për realizimin e përmbajtjes programore garuese.
Drejtori i televizionit të Kosovës theksoi se do të bashkëpunojë me transmetuesin publik të Japonisë, si dhe me përfaqësues të Japan Prize, që të gjitha përmbajtjet fituese të këtij çmimi prestigjioz të mund të transmetohen edhe në Televizionin Publik të Kosovës.
Drejtori i Televizionit të Kosovës më tutje ka informuar sekretaren Rikiya se RTK është në proces të bashkëpunimit me transmetuesin japonez, NHK, për një dokumentar të përbashkët që trajton përjetimet e të mbijetuarëve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë nga regjimi serb.
Çmimi japonez është një çmim vjetor ndërkombëtar që organizohet nga NHK, e që vlerëson dhe mbështet projekte mediatike si dokumentarë, kronika raportuese, dhe hulumtime që trajtojnë tema sociale, edukative, mjedisore, dhe kulturore.
Ky konkurs u themelua në vitin 1965.























