Krasniqi: Nexhmije Pagarusha ka qenë vërtet një heroinë për kohën
K. K. / RTKlive
Libri për fëmijë “Më quajnë Nexhmije Pagarusha”, i autores Meliza Krasniqi, është vepër me dedikim për njërën prej ikonave më të mëdha të muzikës shqiptare, e cila ka për qëllim prezantimin e figurës së saj në një mënyrë të thjeshtë dhe tërheqëse për fëmijët. Krasniqi tha se Nexhmija Pagarusha ka qenë vërtet një heroinë për kohën.
Krasniqi në ‘Mirëmëngjesi Kosovë’ në RTK bëri me dije se kushti i saj drejtuar shtëpisë botuese për të shkruar një libër ka qenë që të jetë një grua sepse, sipas saj, ka mjaft gra të zonja, por “zëri i tyre nuk është dëgjuar në formë të shkruar”.
Ajo tha se motivi për të bërë një libër për fëmijët, për ta njohur ata Pagarushën, ka lehtësuar punën kaq të vështirë, sepse nuk ka fëmijë që nuk e di këngën “Baresha”. “E pse mos ta kenë një histori shoqëruese për të ditur se kush ka qenë ajo dhe çfarë ka bërë”, tha ajo.
Më tutje ajo dha hollësi rreth jetës së Pagarushës, teksa u ndal te kompozimi i këngës “Baresha” nga kompozitori Rexho Mulliqi, të cilit i shprehu gatishmërinë për ta kënduar atë këngë, ndërsa ai (Mulliqi), duke njohur diapazonin e saj, ka kompozuar enkas për vokalin e saj.
“Prandaj është e vështirë të këndohet ‘Baresha’, sepse mundësinë e ngritjes nga nota më e ulët te nota më e lartë e ka pasur Nexhmije Pagarusha”, tha ajo.
Libri “Më quajnë Nexhmije Pagarusha” përmban edhe ilustrime të punuara nga Ylber Cërvadiku që, sipas Krasniqit, i janë përshtatur krejtësisht tekstit.
Krasniqi më tej ka folur edhe për projektet e Pagarushës në sferën e aktrimit. Ajo shpalosi ëndrrën e dikurshme të saj në fushën e muzikës klasike. Tha se ishte artiste e kompletuar në të gjitha përmasat çfarëdo që kërkonte skena.
Ndërsa për librin “Më quajnë Nexhmije Pagarusha” Krasniqi tha se "nëse jo për lekturë shkollore, ky libër, të paktën, të lexohet për të mësuar për personalitetin e saj”.
Ajo bëri me dije se Pagarusha ka pasur ëndërr të këndojë edhe muzikën klasike, të merret me atë lloj të muzikës, po ashtu se e ka pasur shumë të rëndësishme paraqitjen, ndërkaq sa i përket aktrimit nuk është marrë profesionalisht me të, por kur regjisorët e kanë ftuar nëpër filma, ajo u thoshte se “unë kam dashur gjithmonë të dukem yll dhe ka pasur rastin të luajë një plakë, por nuk e ka pranuar për shkak se nuk është dukur yll”.
Krasniqi më tutje shtoi Pagarusha ka qenë një artiste e kompletuar në të gjitha përmasat. Ka qenë një detajiste e përkryer.























